Ka startuar sot turneu UEFA Development U-15 për vajza që po luhet në Shqipëri nën organizimin e FSHF.
Sfida hapëse e luajtur në Shtëpinë e Futbollit ishte ajo mes Irlandës së Veriut dhe Rumanisë, që përfundoi me fitoren 2-1 të vajzave rumune. Fillimisht kaluan në avantazh irlandezo-verioret me golin e shënuar në minutën e 8-të nga Maisie Hobson, por Rumania baraspeshoi rezultatin në minutën e 30-të me golin e Barbu Sonia.
Në pjesën e dytë, rumunet arritën të gjejnë golin e fitores në minutën e 58-të me Szekely Csenge që kompletoi përmbysjen dhe vulosi shifrat në 2-1 në favor të Rumanisë.
Ndërkaq, edhe Shqipëria U-15 e vajzave luajti ndeshjen e parë të UEFA Development, ndaj Letonisë U-15 të vajzave, me këta të fundit që triumfuan me rezultatin 1-3.
Skuadra e drejtuar nga Rabie Tota luajti nga minuta e parë me Grea Tula, Anja Shosha, Rajla Grembi, Kamela Kuzari, Klea Selmani, Rukena Demushi, Perla Kallanxhi, Estela Gjoni, Sanja Isufi, Obikela Kokoshi, Amelia Simaku
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar me Shqipërinë që pati disa mundësi për shënim, por të parat realizuan vajzat mike në minutën e 34-të me Ritele që gjeti rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë Pudane shënoi të dytin në të 62-ën, ndërsa dalja me kartoni e kuq të Shosha ndërlikoi gjithçka, teksa pikërisht nga goditja e dënimi që solli kartonin e kuq u shënua dhe goli I tretë nga Lanska.
Ndonëse me 10 lojtare, Shqipëria shënoi me Gjonin në të 87-ën, dhe më pas pati disa mundësi të mira për të realizuar sërish, por në fund gjithçka u mbyll 1-3.
Sfida e radhës për vajzat kuqezi do të jetë ndaj Rumanisë të enjten në 14:30, sfidë që do të transmetohet në FSHF TV.


