E nisur dje me dy sfidat e para, Egnatia-Bylis(2-1) dhe Teuta-Vllaznia(1-3), Java e 23-të e “Abisnet Superiore” vijon sot me 3 ndeshjet e tjera: Laçi-Partizani, që është planifikuar të nisë në ora 13:30, për të vijuar më pas me dy takimet e tjera Dinamo City – Skënderbeu dhe Tirana – AF Elbasani, të cilat nisin në ora 16:30.
Që të tre sfidat e sotme janë të një rëndësie të veçantë për të gjashtë skuadrat që do të jenë në fushën e lojës. Në stadiumin e Laçit, kurbinasit do të kërkojnë të vijojnë paraqitjen e mirë të javës së kaluar përballë një Partizani, i cili i përforcuar në limitin e merkatos me lojtarë cilësorë kërkon pikët e plota duke synuar të mos shkëputet nga skuadrat e kreut të renditjes.
Dinamo, si zakonisht, edhe pse pritëse, për mungesë të një stadium, ndeshjet e saj vazhdon t’i zhvillojë në “Elbasan Arena”, aty ku përballë ka një skuadër si Skënderbeu, më tepër se kurrë në kërkim të pikëve të plota. Por, të njëjtën objektiv ka edhe Dinamo, forma sportive e së cilës vazhdon të jetë optimale.
Në mungesë të një stadium, edhe bardheblutë e Tiranës detyrohen të shtegtojnë diku tjetër, ku këtë radhë kanë zgjedhur stadiumin “Niko Dovana” për t’u përballur me Elbasanin.