Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, tre javët e fundit të kategorisë Abissnet Superiore do të luhen të gjitha në një ditë dhe në të njëjtin orar. Kështu, që kjo e shtunë, ndeshjet e së cilës fillojnë në ora 17:15, do të mbyllë hesapet me pesë duelet e kësaj kategorie.
Një javë, ku natyrisht ndër pesë çiftet, spikat klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia. Dueli në fjalë do të luhet pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, me bardheblutë të shpallur kampion, por që luajnë për prestigj, dhe Vllaznia, që kërkon tre pikët maksimale për zonën Europiane.
Luftë për Europë ka edhe Partizani dhe Kukësi, i pari me një transfertë të vështirë përballë Egnatias në Rrogozhinë dhe i dyti pret Dinamon në “Kukës Arena”.
Kastrioti-Teuta dhe Skënderbeu-Laçi, janë dy çiftet e tjera, ku interesi më i madh është në Krujë, me derbin e prefekturës, Kastrioti-Teuta, skuadra të cilat, pasi i janë larguar zonës së ftohtë të fundrenditjes, në varësi edhe të ndeshjeve të Vllaznisë, Partizanit dhe Kukësit, mund të përfitojnë për një vend në Europë.
Kalendari i ndeshjeve të javës së 34-të të Superiores
TIRANA – VLLAZNIA, EGNATIA – PARTIZANI, KUKËSI – DINAMO, KASTRIOTI – TEUTA, SKËNDERBEU – LAÇI