E filluar me dy ndeshjet e para të ditës së mërkurë, Bylis-Vllaznia dhe Laçi-Kastrioti, ku fitues dolën skuadrat pritëse, ballshiotët me rezultatin 1-0 ndaj kuqebluve dhe kurbinasit 4-1 ndaj krutanëve, javë e 18-të e kategorisë Superiore vijon sot me tre dulet e tjera dhe të fundit për këtë javë.
Ato fillojnë me ndeshjen e orës 13:00, ku në stadiumin e Rrogozhinës do të ndeshen, Egnatia-Kukësi. Një përballjen në pozita të kundërta, ku rrogozhinasit e vendit të katërt në renditje do të kërkojnë fitoren tre pikëshe për të parakaluar Vllazninë e vendit të tretë me dy pikë më shumë. Ndërkohë, edhe për kuksianët e vendit të fundit në renditje, pikët janë shumë të domosdoshme për t’u larguar nga ai poziciob që i çon një kategori më poshtë.
Partizani-Teuta, është përballja e dytë e ditës së sotme e planifikuar të luhet në orën 16:00 në stadiumin “Partizani”, me të kuqtë që luftojnë për kreun dhe durrsakët për mbijetese. Ndërkohë, që bazuar edhe nga pozitat në renditje, sfida më e rëndësishme e ditës së sotme është ajo që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit në mes Erzenit vendas që mban vendin e pestë me pikë ntë barabarta me Egnatian dhe Tiranës kryesuese. Ndeshja në fjalë është planifikuar të nisë në orën 19:00 dhe pritet të jetë më e forta e kësaj jave.