Ada luan mirë, presion 89 minuta në portën ë Shënkollit, por në fund e pëson duke u mundur 0-1, drejtuesit ankesa pa fund për arbitrin

Përballja në mes Adës së Velipojës dhe Shënkollit të qarkut Lezhë, e vlefshme për javën e tretë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë, grupi A është shoqëquar me një luftë të fortë sportive. Takimi i luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Adriatik” të Velipojës ka pasur vetëm një protagonist, skuadrën vendase, e cila që në start të ndeshjes dhe deri në minutën e 89-të pati epërsi të padikutueshme në fushën e lojës, por pa arritur të konkretizoi asnjë prej rasteve të krijuara me gol në portën kundërshtare.

Mos gjetjen e rrugës së rrjetës nga ana e tyre, krahas të tjerave, Ada e kërkoi edhe tek arbitri i ndeshjes, që sipas drejtuesve velipojakë nuk ishte korrekt me vendimet e dhëna duke favorizuar dukshëm ekipin kundërshtar.

Atë që nuk e bënë vendasit me sa e sa raste të krijuara në portën mike, arriti ta bëjë skuadra mysafire. Është minuta e 90-të, atëherë kur e gjithë skuadra velipojake është e zhvendosur në gjysëm fushën e Shënkollit duke ngulmuar në gjetjen e golit të avantazhit, një kundrasulm i shpejtë miqve ndëshkon Adën me një gol të shënuar nga Sebastjan Deda.

4 minuta shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt, shkodrani Dragusha nuk vlejnë, pasi Shënkolli i rreshtuar i tëri në prapavijë arrin ta ruajë në fuqi avantazhin e rezultatit 0-1. Fitore shumë e rëndësishme e Shënkollit që pas 3 ndeshjeve shkon në kuotën e 7 pikëve, ndërkohë që Ada,  me dy humbje, që të dyja në shtëpi, me Elbasanin dhe sot me Shënkollin dhe një fitore në transfertë me Murlanin ka tre pikë në tre ndeshje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu