Gjatë datave 27-28 Prill, pranë Klubit të Futbollit Vllaznia kanë mbërritur dy përfaqësues të Agjencisë prestigjioze të menaxhimit të lojtarëve, CAA Stellar, të cilët ndoqën nga afër ndeshjen e javës së 36-të, Vllaznia – Laçi, e zhvilluar pasditen e datës 27 Prill.
Në vijim, më datë 29 Prill, ata ndoqën gjithashtu një ndeshje miqësore ndërmjet ekipeve Vllaznia U17 dhe U19, e luajtur në fushën “Reshit Rusi”.
Përfaqësuesit e CAA Stellar kanë zhvilluar një takim me Presidentin e KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, ku është diskutuar për mundësinë e transferimit të tre lojtarëve të ekipit drejt ligave europiane.
Gjithashtu, ka pasur interes edhe për 3-4 lojtarë të Akademisë së Futbollit Vllaznia, me synimin për t’i dërguar në provë në klube europiane.
Me qëllim informimin e publikut, por duke ruajtur njëkohësisht konfidencialitetin e bisedimeve, detaje të mëtejshme do të bëhen të ditura me zyrtarizimin e këtyre lëvizjeve.