Që prej ditës së hënë të 15 korrikut 2024, Akademia e Futbollit “Vllaznia” ka nisur proçesin stërvitor për sezonin e ri futbollistik 2024-2025. Sipas grupmoshave të ndryshme, ekipet janë paraqitur në mjediset e stadiumit “Reshit Rusi”, aty ku është është edhe streha e tyre kryesore për zhvillimin e aktivitetit vjetor, por edhe në “Loro Boriçi”.
Për t’u theksuar është se sezoni i ri sportiv e gjen Akademinë e Futbollit Vllaznia me ndryshime të shumta, të cilat nisin nga kreu për të vijuar me të gjithë trajnerët e ekipeve përkatëse. Ndërkohë, në ndryshim nga sezoni i kaluar, këtë sezon në dispozicion të ekipeve të grupmoshave të ndryshme do të jetë edhe një bazë materiale profesionale që do t’i shërbejë stafeve teknike në zbatimin me sa më cilësi të programit stërvitor.
Siç është bërë me dije edhe më herët, në krye të akademisë Vllaznia për këtë sezon janë dy emra të njohur të futbollit shkodran, Alban Hasani dhe Ndriçim Shtubina, i pari drejtori organizativ dhe i dyti kordinator teknik i akademisë.
Krahas trajnerëve të mëparshëm, si Luan Zmijani, Arbër Macerovi, Denis Zmijani, Ersi Çaku, Gjon Kola, Haris Dalipi, Ylad Pirani, Arben Parmeza, Gjengis Bandulla, Ali Shpuza, rikthehen, trajnerët e njohur Edmond Doçi, Elvis Plori, Amarildo Belisha, Arbër Shytani, Valdano Nimani, Safet Osja, Ivo Shestani, Andrea Ashta, të cilët do të punojnë në drejtimin e ekipeve nga U21 deri në moshat më të vogla.
Nga sa bëhet e ditur, ditët e para stërvitore, të cilat janë edhe në kuadrin e pritjes së elementit të ri, prurjeve që mund të jenë edhe nga akademitë e tjera të Shkodrës, do të shoqërohen me ngarkesa të ulta, ndërkohë që fillimi i muajit gusht ka në program fazën përgatitore speciale në pritje të fillimit të aktivitetit zyrtar që është paralajmëruar se do të jetë në muajin shtator.