International Tennis Integrity Agency (ITIA) ka pezulluar për 20 vjet francezin Quentin Folliot. Ai është gjobitur me 70.000 dollarë dhe gjithashtu duhet të kthejë përfitimet e paligjshme prej 44.000 dollarësh, pasi ka kryer 27 shkelje të programit antikorrupsion në tenis.
Sipas hetimit të ITIA, 26-vjeçari, ish-numri 488 në botë, ka qenë figura qendrore e një rrjeti lojtarësh që vepronin për llogari të një organizate që trukonte ndeshje. Folliot është tenisti i 6-të i dënuar gjatë këtij hetimi, pas Jaimee Floyd-Angele, Paul Valseçhi, Luc Fomba, Lucas Bouquet dhe Enzo Rimoli.
Tenisti francez akuzohet për manipulim të rezultatit të ndeshjeve, pasi është paguar për të mos u impenjuar maksimalisht. Për qëllim bastesh ai u ka ofruar dollarë edhe lojtarëve të tjerë për të trukuar ndeshjet. Folliot nuk ka dashur të bashkëpunojë gjatë hetimit, madje ka prishur edhe provat.
Akuzat janë konfirmuar për 10 nga 11 ndeshjet e hetuara. Në sentencë Folliot përshkruhet si “një pedanë e një organizate kriminale më të gjerë, që rekruton lojtarë të tjerë dhe që kërkon të korruptojë turnetë e profesionistëve”.
Folliot ishte pezulluar më 17 maj 2024 dhe skualifikimi i tij përfundon më 16 maj 2044. Në këtë periudhë ai nuk mund të luajë, stërvitë, apo edhe të ndjekë asnjë event tenistik të autorizuar nga pjesëtarët e ITIA.



