Alivoda në Shkodër. Me pushime, apo rikthim tek Vllaznia? Kontrata në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbaron në fund të qershorit, kuqeblutë e kanë kontaktuar

Rejan Alivoda në shtatorin e kaluar u transferua nga kampionati shqiptar, ku aktivizohej me Vllazninë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Për shërbimet e mesfushorit ishte “Ittihad Kalba”, që pagoi një shifër prej 200 mijë eurosh në arkat e Vllaznisë. Në këtë mënyrë, duke u transferuar mesfushori drejt një kampionati “ekzotik”, siç është ai i Emirateve, që në vitet e fundit ka tërhequr edhe emra të njohur si Verratti apo Coutinho.

Por, kontrata e 21- vjeçarit me skuadrën verdhezi skadon në fund të muajit qershor. Dhe duket se momentalisht bisedimet për një rinovim të mundshëm të saj nuk kanë qenë konkrete mes palëve. Momentalisht edhe Alivoda ndodhet në Shkodër, ku po kalon ditët e tij të pushimit pas përfundimit të kampionatit në Emiratet Arabe. Një situatë e tillë duket se nuk i ka “shpëtuar” Vllaznisë dhe drejtuesve të saj. Ku sipas asaj çfarë mëson “Panorama Sport” e kanë kontaktuar mesfushorin.

Pavarësisht se ende pa i paraqitur një ofertë konkrete, ku gjithçka momentalisht qëndron vetëm në kuadrin e interesimit dhe marrjes së informacionit të saktë të situatës së mesfushorit. Kjo, pasi synimi kryesor i Alivodës ngelet vijimi i karrierës jashtë Shqipërisë, me disa ekipe aziatike, por edhe europiane, që kanë bërë sondazhet e tyre lidhur me 21-vjeçarin. Megjithatë, “pas dere” qëndron Vllaznia që do të kërkojë të përfitojë në rast se shfaqet ndonjë mundësi konkrete për rikthimin në shtëpi të Alivodes.

Emri i mesfushorit në të shkuarën është lidhur edhe me Partizanin në vendin tonë, por që nuk duket një opsion konkret në këto momente. Në sezonin 2024-‘25, Alivoda u aktivizua në 21 ndeshje në kampionatin e Emirateve, ku arriti të dhuronte edhe një asist për shokët e skuadrës.

Endri ÇINARI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu