Analiza e Shkëlqim Muçës për javën e 6-të të Superiores: Barazimi, Teuta-Vllaznia, rezultat i drejtë!

Ashtu si për çdo javë, duke qënë i pranishëm në studion emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, specialist i futbollit, Shkëlqim Muça, ka analizuar ecurinë e javës së 6-të të “Abissnet Superiore” ku sigurisht që vëmendja më e madhe është përqëndruar në derbin e kryeqytetit, atë mes Partizanit dhe Tiranës, fituar nga bardheblutë me rezultatin 2-0.

Sa i përket duelit, Teuta-Vllaznia, luajtur në “Niko Dovana” të premten e kaluar, takim i cili u mbyll në barazim 0-0, Muça, komentoi: “Barazimi pa gola i Teutës me Vllazninë – “Për atë që pamë në fushë mendoj se barazimi ishte rezultati i drejtë. Një ndeshje e menduar mirë nga dy trajnerët, por shumë e varfër në sulm. Dy skuadra që bëjnë punë të mirë deri në metrat e fundit, më pas është e vakët”.

Ndërsa, në lidhje me derbin e kryeqytetit, Muça, tha:  “Gjithmonë derbin nuk e parashikon dot, nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Kampionatin që ka marrë Tirana, e ka marrë vetëm se fitoi derbin. Nuk mund të themi se dominoi njëra apo tjetra, ishte një lojë e hapur, fati e deshi që të shkonte në atë rrugë. Një penallti e humbur, më pas kartoni i kuq. Kur pritej që Partizani të merrte situatën në dorë, ndodhi e kundërta. Në pjesën e dytë Partizani duhet të kishte ndryshuar, të kishte shtuar dhe një sulmues, sidomos në krahune djathtë. Nuk u tregua i guximshëm. Tirana u tregua më e guximshme, nuk u dorëzua, bëri lojën e saj, luajti për ta fituar ndeshjen. Da Silva dhe Hoti janë lojtarë trekuartist për mendimin tim, Skuka luan në një zonë të kufizuar, i duhet më shumë hapësirë. Partizani mori frenat e lojës, u mundua, por ishte i vakët në sulm, ka mangësi në finalizim. Tirana po konsolidohet, ka shumë potencial”.

Nota kritikë ka Muça, për Erzenin, i cili u mund nga Bylisi për javën e gjashtë me rezultat të thellë, 4-1. “Erzeni pësoi katër gola, por edhe me lojë ishte i shpërfytyruar. Më pëlqeu sulmi i Bylisit, ka lojtarë shumë të mirë, e merituan fitoren. Shijakasit nuk më pëlqyen, nuk ishin si në ndeshjet e mëparshme, edhe portieri pastaj ndikoi me gabimet e tij”, tha Muça, ndërsa e mbyll me komentin e çiftit, Laçi-Kukësi, teksa thotë: “Laçi është në një moment shumë të keq, nuk e kam parë asnjëherë në këtë gjendje, pak shpresa ka që mund të ndryshojë. Për Kukësin kjo është një nga ndeshjet më të mira që ka bërë deri tani”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu