Të tjera lajme të mira vijnë nga UEFA për arbitrat shqiptarë e që dëshmojnë rritjen e tyre profesionale. Komitetit Arbitrave të UEFA-s ka vendosur që arbitri shqiptar Enea Jorgji të jetë pjesë e projektit “Talent & Mentor 2022” të UEFA-s për të trajnuar arbitrat e nivelit të kategorisë së parë.
Ky është një sukses i vërtetë për Jorgjin si edhe për arbitrimin shqiptar, pasi i jep mundësi atij që brenda pak kohe të jetë ndër emrat e arbitrimit elitar në UEFA.
Në dhjetor të vitit kaluar ai hyri në histori si arbitri i parë shqiptar që u bë pjesë e kategorisë së parë me një vendim të Komitetit Arbitrave të UEFA-s. Kjo i jep mundësi Enea Jorgjit të jetë arbitër në ndeshjet e UEFA Champions League deri në ndeshjet eliminatore para grupeve si dhe në ndeshjet e UEFA Europa League e UEFA Europa Conference League, duke përfshirë edhe ato në grupe, ndeshjet e ekipeve kombëtare A gjatë fazave eliminatore.
Ndërkaq, lajmi tjetër i mirë është vendimi i UEFA-s për arbitren Erinda Kume, e cila është përzgjedhur për të marrë pjese si asistente në fazën finale të Kampionatit Europian U-19 për femra, që starton sot në Republikën Çeke. Është hera e parë që një zyrtare femër nga Shqipëria merr pjesë në një event të kësaj rëndësie. Kume, e cila është e pajisur me stemën e FIFA-s, është caktuar si asistente në ndeshjen Angli – Norvegji.