Departamenti i Arbitrimit në FSHF ka përmbyllur seminarin dimëror dy-ditor me arbitret vajza, në kuadër të fazës së dytë të kampionateve në Shqipëri.
E ftuar speciale e këtij seminari ishte Esther Staubli, instruktore arbitrash në UEFA, e cila ndau me pjesëmarrëset eksperiencën e saj si arbitre FIFA, si dhe momente të rëndësishme që kanë shenjuar karrierën e saj.
Fokusi i trajnimit të saj ishin teknika të ndryshme menaxhimi të situatave në fushë, puna në grup, si dhe rëndësia e menaxhimit të presionit nga tifozët dhe aktorët e tjerë brenda dhe jashtë fushës.
Përgjatë prezantimit pati diskutime të ndryshme, pyetje dhe ndarje eksperiencash nëpërmjet arbitres Esther dhe pjesëmarrëseve.
Një element tjetër i ditës ishte dhe prezantimi i një teme të psikologjisë sportive, e cila u fokusua në rëndësinë e shëndetit mendor të arbitreve brenda dhe jashtë fushës, si dhe ndikimi në performancën në punë.
Seminari dimëror është një pjesë e rëndësishme e programit të FSHF-së për të siguruar zhvillimin dhe rritjen e nivelit të arbitrave shqiptarë, duke i përgatitur ata për sfidat që i presin në pjesën e mbetur të sezonit.