Monday, November 25, 2024

Armando Cungu mund të jetë trajneri i ri i Laçit

Lexo

Ish futbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, por edhe i disa skuadrave të tjera, përfshirë edhe kombëtaren U-19, Armando Cungu, mund të jetë trajneri i ri i Laçit.

Një gjë e tillë është zbuluar gjatë prononcimit që tekniku Cungu dha në një lidhje direkte me emisionin sportiv “Panorama Sport” në televizionin “Panorama”.

Ndër të tjera, Cungu foli për ndeshjet e radhës së Kombëtares ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, si dhe situatën te Vllaznia, ku shkodrani u përfol si një kandidat i mundshëm për t’u rikthyer në stol përpara se Migen Memelli të zyrtarizohej.

“Kemi shortin më favorit, ekipe më të forta janë Polonia dhe Çekia. Duke parë historinë dhe rezultatet e mëpërparshme mund ti mposhtim Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Trajneri Silvinjo bëri një punë të mirë në Poloni. Është e lehtë në pamje të parë sfida me Moldavinë, por futbolli është i paparashikueshëm, dhe të gjitha ekipet kanë përparuar dhe janë rritur. Nëse e vlerësojmë si duhet mund ta mposhtim Moldavinë.

Pak a shumë janë lojtarë të njohur, ka edhe risi që jep shkëndija për të ardhmen. Jam kënaqur me ndeshjen ndaj Polonisë, pash një ekip të mirë edhe pse kishte pak ditë në dispozicion. Pamë një skuadër me dëshirë për të luajtur futboll. Më pëlqen më shumë skema që përdor Silvinjo, por në fund rëndësi kanë rezultatet. Pas vitesh me Rejën me një tjetër skemë, nuk është e lehtë kjo e reja por ata ja dolën të bënin një ndeshje të mirë. Shenjat e para janë pozitive dhe shpresoj të vazhdojnë kështu.

Sadiku është një vlerë e shtuar, 3 vjet shkëputje nuk janë pak. Por shpresoj të kapë sa më shpejt ritmin e grupit. Kombëtarja ka nevojë për sulmues, dhe ai mund të japë shumë.

Unë i besoj 3 pikët e kombëtares kuqezi ndaj Moldavisë. Nëse bëjmë një ndeshje si ndaj Polonisë nuk është problem. Shanset i ka të mëdha, mund të jetë shorti më i mirë në favor të Shqipërisë dhe mund ta kalojë grupin. Shqipëria duhet të ketë ambicie, ego dhe uri për të ecur përpara. E rëndësishme është fitorja dhe loja e bukur.”, tha Cungu për kombëtaren.

Duke folur për zhvillimet më të fundit në kampin kuqeblu, Cungu, tha: “Çfarë po ndodh me Vllazninë është pak e çuditshme, lojtarët kryesorë që kanë mbajtur ekipin po shpallin divorcin dhe kjo nuk është gjë pozitive për klubin, nuk është e lehtë për të gjetur lojtarë të rinj dhe për të formuar ekipin. Kjo është një transformim i klubit, duhet të reflektojnë. Nuk është një moment i mirë dhe shpresoj të bëjnë zgjedhjet e duhura për lojtarët që të vazhdojnë në rrugën e duhur drejt objektivave. Egnatia ka qenë një ekip simpatik këtë sezon që lamë pas kisha shumë konsiderata.”

I pyetur në aspektin personal, Cungu pranoi se ka disa oferta nga klube të Superiores dhe të Kosovës, por pa specifikuar emra. Gjithsesi, “Panorama Sport” mëson se një opsion për trajnerin është edhe drejtimi i Laçit, aty ku ka qenë më parë dhe ka arritur të fitojë trofe.

“Unë kam qenë me pushime jashtë Shqipërisë, falenderoj të gjithë që më kanë vlerësuar mua dhe më kanë zgjedhur si të preferuar për të qenë trajner i Vllaznisë. Nuk më pëlqejnë anketat, nuk jam njeri për tu shitur aq më pak për tu anketuar me ndonjë individ që për momentin nuk ka karrierën e duhur. Ekipet e mëdha kërkojnë trajnerë me eksperiencë që kanë lënë gjurmë, nuk janë autoshkollë për të mësuar dorën. Kontaktet me Vllazninë kanë qenë shumë të pakta por nuk dua të flas më tepër. Kam pasur bisedime me disa ekipe si nga Shqipëria dhe Kosova, pres një përgjigje tani nëse do të plotësojnë kushtet e mia dhe unë jam i gatshëm të punoj dhe të jap më të mirën time”, deklaroi ai.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img