Kristjan Asllani dhe Giacomo Vrioni kanë dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjeve miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Mesfushori, i cili po luan me Empolin rregullisht, është ftuar për herë të parë me kombëtaren kuqezi dhe sigurisht që ndihet shumë mirë. Ai flet për gjithçka ka ndodhur me të e sigurisht, kur vjen puna te merkato shmanget si profesionist. “Jam shumë i lumtur, unë ekipin kombëtar e shikoja vetëm në televizor. Të jem këtu është një kënaqësi shumë e madhe për mua. Shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Nuk e mendoja, nuk e besoja, por erdhi kjo ftesë. Shpresoj të bëj mirë, dua që të ndihmoj ekipin”.
I pyetur për miqësoren me kombëtaren iberike të Spanjës, Asllani deklaron: “Jo, nuk na tremb Spanja, por është shumë bukur të luash ndaj këtyre skuadrave. Këto tre ditë kanë qenë ditë të bukura, dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Shpresoj që Shqipëria ta bëjë atë hapin cilësor. Unë do bëj maksimumin dhe shpresoj t’i jap një ndihmë shumë të mirë skuadrës”.
Në Serie A janë të shumtë shqiptarët që luajnë dhe Asllani e komenton këtë, kurse në lidhje me ngjashmërinë e tij me ndonjë mesfushor të kombëtares nuk jep një emër. “Kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vjen këtu është pak më lehtë. Atje është një kampionat shumë fizik. Nuk e di më kë ngjaj, këtë gjë mund ta thoni ju që jeni jashtë dhe shikoni futboll. Unë nuk e di këtë gjë, unë mendoj vetëm fushën dhe shpresoj të bëj mirë. Nuk kam një idhull, nuk e di”.
Asllani me siguri dëshiron të luajë kundër Spanjës. A do të jetë titullar? “Nuk i di këto gjëra, këto gjëra i di trajneri. Jam i përqendruar vetëm te stërvitja, te ndeshja. Shpresoj të na vijnë sa më shumë tifozë, këtë mund të them”, shtoi mesfushori i Empolit, i cili është komentuar shumë edhe në merkato.
“Nuk i kam shumë qejf këto zërat e merkatos. Mendoj për Empolin, pasi kam 13 vite që luaj me këtë skuadër. Shpresoj të rrimë në kategori, do bëj gjithçka të ndihmoj skuadrën. Është kënaqësi për mua të luaj me Empolin”, u përgjigj Asllani, i cili në fund për të rinjtë dha një mesazh. “Këmbët në tokë dhe shumë stërvitje, vetëm këto mund të them”, përfundoi mesfushori.
Autori i 10 golave me Tirol në Austri është gjithashtu shumë i lumtur për ftesën që ka marrë. Për ftesën e kombëtares sulmuesi Vrioni tha: “Jam i lumtur, kur kombëtarja të thërret është gjë shumë e bukur, se përfaqëson popullin tënd, familjen, përfaqëson gjithë Shqipërinë. Është normale të jesh i lumtur dhe do jap maksimumin siç kam bërë gjithmonë në kombëtare”.
Vrioni u pyet edhe se si e ka parë Shqipërinë nga jashtë dhe për konkurrencën në repartin e sulmit. “Sipas meje mendimi për kombëtaren është shumë pozitiv. Skuadra është në nivel të lartë, kemi shumë lojtarë të mirë. Është një gjë shumë e bukur të jem këtu në kombëtare me gjithë këta lojtarë. Është normale që konkurrenca është kudo, në kombëtare dhe në klub. Është një gjë shumë e bukur për Shqipërinë nëse të gjithë sulmuese shënojnë me ekipet ku luajnë. Ne do stërvitemi, do japim maksimumin dhe pastaj trajneri vendos, kjo është normale”.
I pyetur nëse do e donte vazhdimësinë në kombëtare, Vrioni thotë: “Objektivi i të gjithë lojtarëve është të bëhen pjesë e kombëtares. Siç thashë edhe më përpara, bo bëj maksimumin çdo ditë te klubi im që të marr sërish ftesë tjetër. Kjo është normale”. Si sulmues normalisht ai dëshiron edhe të shënojë sa më parë. “Kjo është ëndrra ime, të gjej golin e parë me kombëtaren. Shpresoj t’ia arrij, është ëndrra ime dhe mund të bëj të lumtur gjithë familjen time”.
Normalisht pati pyetje edhe në lidhje me të ardhmen, pasi Vrioni është i huazuar nga Juventusi te Tirol. “Nuk e di çfarë do të bëj, janë edhe dy muaj që të mbyllet sezoni. Është një periudhë e gjatë. Të shohim, nuk e di. Shpresoj të mbaroj sezonin duke shënuar më shumë gola dhe duke i dhënë një ndihmë ekipit të Tirolit ku jam tani”.
“Mbaj kontakte te Juventusi me disa lojtarë, kam disa shokë aty. Sidomos me Morata, me të cilin do të luajmë të shtunën. Nuk jemi ngacmuar, jemi profesionistë dhe kjo është puna jonë. I kam thënë vetëm të më ruajë fanellën, pasi është një djalë shumë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë te Juventusi. Për mua është një nga sulmuesit më të fortë në botë”.
Në fund, në lidhje me ndeshjen kundër Spanjës, Vrioni shprehet: “Ne do e provojmë ta vëmë në vështirësi, është normale. Për ne është një mundësi të shohim se në çfarë niveli jemi do shohim çfarë niveli jemi. Kështu që është normale që do të japim maksimumin që të marrim një rezultat, që t’u japim një gjë pozitive tifozëve që do vijnë në stadium”.