Atletika shkodrane ka humbur sot një pjesëtar të denjë të këtij komuniteti. Bëhet fjalë për një emër shumë të njohur të sportit të atletikes, Rrok Hilën, i cili pas një sëmundje të rëndë që e shoqëroi vitet e fundit, u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare.
Lajmi i hidhur që vjen nga Kanadaja, atje ku ai jetonte me familjen e tij prej shumë vitesh, ka tronditur mbarë komunitetin shkodran dhë në veçanti atë të atletikës, me të cilin ai bashkëjetoi për shumë vite.
Rrok Hila, fillimet si sportist i ka kryesisht në disiplinën e shumëgarëshit ku me pikët e tija maksimale individuale jepte kontributin në fitimin e trofeve të ekipit Vllaznia së bashku me bashkëmoshatarë të tij të njohur si Ardian Miloti, Abdullah(Lah) Shoshi, Ahmet Kryeziu, etj.
Por, kontributin më të madh për sportin e atletikës, Rrok Hila do ta jepte më pas në rolin e trajnerit, ku për shumë vite me radhë arriti të trajnojë emra dhe breza të shumtë kampionësh dhe rekordmenësh kombëtare, mes të cilëve spikasin atletët e talentuar Tonin Sokoli, Arbana Xhani, Arben Mlloja, Oltion Luli, etj.
Fotoja në fjalë që shoqëron shkrimin, paraqet pikërisht këtë treshe, ku trajneri Rrok Hila është duke i dhënë udhëzimet e fundit kampionëve Arben Mlloja dhe Tonin Sokoli përpara fillimit të një garë të rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluar në vitin 1980-të.
Gjatë periudhës së drejtimit si trajner, Rrok Hila kishte fatin të punonte përkrah emrave të shumë të njohur të atletikës shkodrane, si Angjelina Gurakuqi, Hysni Bebeziqi, Asim Mujaxhi, Rasim Kraja, Syrri Hoti, Enver Dervishi, Gëzim Mema, Vildan Tufi, Llesh Vuksani, Kujtim Rrjolli, etj.
Korrektësia dhe përvoja e gjatë si sportist dhe si trajner, bënë që drejtuesit e institucionit vendor ta emëronin Rrok Hilën në 1992 në detyrën e shefit të Sport Klub Vllaznia, detyrë të cilën e pasoi nga paraardhësit e tij Xhevdet Shqiri, Mehdi Milla, Valter Kalaja, Viktor Kçira, Fasli Qiellza. Pas largimit të tij familjarisht në Kanada, postin e drejtuesit e Sport Klub Vllaznia do ta merrnin, fillimisht Mark Grimci dhe më pas Gëzim Mema dhe Mark Kroqi.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Rrok Hilës ka prekur thellë edhe ish kolegët dhe rivalët e tij të sportit nga Tirana, Vladimir Gjonaj dhe Gjergj Ruli, të cilët posaçërisht për Veriu Sport, dërgojnë këtë mesazh ngushëllues për ndarjen nga jetë të Rrok Hilës:
“Jeta Rrok Hilës për Atletiken Shkodrane dhe Shqiptare ështe veçanërisht interesante. Si sportist i suksesshëm në atletikë gjatë viteve 1975-1976, ai ka qenë një figurë e shquar e asaj kohe në Shqipëri. Fakti që figurat e tjera të njohura të atletikës si Vladimir Gjonaj dhe Gjergj Ruli e përulin në kujtesë tregon se ai ka lënë një trashëgimi të rëndësishme në histori të sportit shqiptar. Është e trishtuar të mësojmë se fati i tij ka qenë aq i hidhur. Personazhet e kësaj natyre meritojnë të kujtohen dhe të nderohen, pasi ata përfaqësojnë suksesin dhe krenarinë e Shkodres dhe Shqipërisë tonë në fusha të ndryshme. Ngushëllime Familjes dhe Atletikës Shkodrane dhe asaj Kombëtare. Miqësisisht Vladimir Gjonaj dhe Gjergj Ruli.”
Në komunikimin që Veriu Sport pati me pjesëtarët të familjes Hila, mësoi se ceremonia e ndarjes nga jeta të Rrok Hilës do të zhvillohet ditën e premte në Kanada, ndërkohë që akoma nuk dihet saktësisht, nëse do të jetë një e tillë edhe në Shkodër, apo jo, që gjithësesi, për të interesuarit Veriu Sport, do të njoftojë në ditët në vazhdim.
Personalisht, si gazetar sportiv, që një pjesë të karrieres sportive të të ndjerit Rrok Hila, kam pasur mundësinë ta ndjek nga afër dhe ta pasqyroj në median sportive, por edhe në emër të stafit të Veriut Sport, i përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes Hila për humbjen e njeriut të tyre të afërt, dhe në të njëjtën kohë edhe komunitetit të sportit të atletikës për humbjen e kolegut të tyre. Pushofsh në paqe, Rrok Hila!
Gaspër MARKU