Kombëtarja e Shqipërisë në atletikë, e cila përfaqësohet në pjesën dërmuese nga atletët e Vllaznisë të drejtuar nga trajnerët Albert Marashi dhe Bruno Rrotani, është pjesëmarrëse e Kampionatit Europian ekipor të atletikës që po mbahet në Krakovë të Polonisë.
Në garët e para të europianit ekipor, figurën më të mirë sportive e kanë bërë dy atletët më në formë të atletikës shqiptare, Luiza Gega dhe Franko Burraj, të cilët në kampionatin shqiptar përfaqësojnë ekipet e Tiranës dhe Vllaznisë.
Potencialja e atletikës shqiptare, Luiza Gega renditet e para në baterinë e 5000 metrave divizioni i tretë. Kampionia shqiptare ka lënë pas gjithë kundërshtaret me kohën 15:32.39, rreth 4 sekonda më e shpejtë se rivalja Salpeter nga Izraeli.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe atleti i talentuar shkodran, Franko Burraj, i cili duke konkuruar në divizionin e tretë të garës së 400 metrave, dominoi mbi të gjithë konkurentët duke e mbyllur në vendin e parë me kohën 46:30.
Rezultati i sotëm në garën 400 m arritur nga Burraj, i cili stërvitet nga trajneri shkodran Bruno Rrotani, ishte afer rekordit kombëtar që mbahet nga vete Franko me kohën 46.16.
Krahas rekordit të vrapimit 400 me, Franko Burraj mban edhe rekordin e 200 metrave
Me shumë interes pritet konkurimi i ditës së enjte në garën e Europianit të Polonisë në vrapimin 200 me, aty ku Franko Burraj mban rekordin kombëtar me kohën 21.30.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport përpara nisjes drejt Polonisë, kampioni Burraj dhe trajneri i tij Rrotani, premtuan se në garat e Polonisë synojnë përmirësimin e rekordit kombëtar.
(Video) Pamje e garës 400 metra të Kampionatit Europian ekipor të atletikës, ku shkodrani Franko Burraj, renditet në vendin e parë.