Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores përfundoi me fitoren 2-1 të shkodranëve. Hero i takimit ishte padiskutim Bekim Balaj me dopietën e tij në pjesën e dytë që çliroi ekipin verior dhe përmbysi gjithçka. Pas kësaj sfide ai u shpreh:
“Për mua kontributi më i mirë janë golat. Arrita të shënoja dhe fituam një ndeshje të rëndësishme. Kjo është ndeshja e parë e fazës së dytë, kemi një rrugëtim të gjatë që na pret përpara. Nuk ka rëndësi kujt i shënoi. Por ndeshja me Tiranën është Klasike, sot ishte e rëndësishme të gëzonim tifozët dhe shpresoj që mbështetja e tyre të mos mungojë.
Unë mundohem të jap më të mirën time. Motivimi dhe dëshira nuk më ka munguar kurrë. E ndjej peshën e kësaj fanelle që kam veshur, luaj për Vllazninë që më ka dhënë shumë përgjatë karrierës. Por që të kthehemi te ndeshja e sotme, nuk e nisëm në mënyrën më të mirë. Goli i Tiranës na vendosi në vështirësi. Por në pjesën e dytë na dha entuziazëm dhe goli i dytë ishte ai që na gëzoi të gjithëve. Sidomos më gëzoi mua pasi ishte goli i fitores. Për ne si lojtarë është shumë bukur që sheh një “Loro Boriçi” të mbushur.
Sigurisht që shpresoj të jem në gjendje të kontribuoj më shumë për Vllazninë. Kemi në përbërje lojtarë të rinj, kanë talentin, por nuk mjafton. Duhet shumë punë pasi kanë një rrugëtim të gjatë. Kanë një shans të artë ta nisin karrierën nga Vllaznia. Asgjë nuk vjen rastësisht, çdo gjë vjen me frytin e punës”, është shprehur Bekim Balaj.