Bekim Balaj foli pas ndeshjes që Vllaznia fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Tiranës. Kapiteni i kuqebluve deklaroi:
“Golat janë të rëndësishëm, për sulmuesin akoma më shumë. Kastrati e meritonte një gol këto ndeshjet e fundit, me paraqitjet që ka bërë. Më vjen mirë që shënon Kastrati, shpresojmë që në ndeshjet e tjera të kemi mundësi të ndihmojmë ndonjë lojtar tjetër të shënojë. Edhe të lirohen, pse jo, është ndjesi e mirë. Kur shënojnë të gjithë, gëzohemi të gjithë.
Çfarë të tha Bordin? Thjesht po diskutonim, pasi kam shënuar edhe me Elbasanin. ‘Akoma ti?’, më thotë(qesh).
Të them të drejtën, edhe pse është herët, me paraqitjet që kemi bërë, arrijmë të krijohet një ide se deri ku mund të shkojë një skuadër. Sigurisht që ne kemi entuziazmin e rezultateve, ndeshjeve të fituara, atmosferës në Shkodër. Duhet ta shfrytëzojmë në anën tonë këtë, nuk duhet të na kalojë në eufori pasi janë vetëm 8 javë kampionat. Organikën e kemi shumë të mirë, ndoshta këtë ndeshje kemi pasur goxha mungesa. Skuadra arrin të performojë, të fitojë, edhe në ndeshje me mungesa dhe fushë të vështirë si e Ballshit. Nuk do luash gjithmonë mirë, por e rëndësishme të fitosh. Duke ditur edhe formulën, pikët janë shumë të rëndësishme.
Të them të drejtën, të vish te Vllaznia pas disa vitesh, ka qenë dëshirë e imja. Kam dashur të vi në Shkodër dhe të kontribuoj. Ka dy vite i afrohemi titullit, na ka munguar diçka për ta fituar realisht. Këtë vit është frymë tjetër, energji dhe grup tjetër. Lojtarë dhe ekip cilësor, konkurrencë e rritur. Ajo që mungoi vjet, sivjet e kemi. Është herët. Shoh një grup djemsh të uritur për të fituar, të jep një bindje akoma më të madhe, që mund të jetë viti ynë.
Unë them më ndjek gjithë skuadra, prandaj nuk i ndava as djemtë e rinj. Janë pjesë e kësaj.
Normalisht si kapiten, e ke të qartë që pjesa tjetër e ekipit largohet. Dhe komunikimi pas VAR është direkt me kapitenët. Besoj të gjithë e kanë mësuar, që tek arbitri afrohet vetëm kapiteni dhe merr sqarimin direkt nga arbitri.
Armiku i Vllaznisë? Euforia sigurisht, na ka penalizuar shumë herë. Shumë vite, ndër 25 vite që nuk e kemi fituar, jemi afruar. Një vit e kemi humbur vetëm me golavarazh, duke qenë shumë pikë para më herët.
Martini? Ndoshta prandaj erdhi në momentin e duhur, për ta kthyer titullin në Shkodër. Një trajner që ka fituar, e di si fitohet dhe sigurisht, si shkodran e di çfarë ka problem Shkodra, dhe na mban larg nga kjo pjesë”, u shpreh Balaj për “RTSH”.



