Barazim 0 me 0 në “Elbasan Arena”, në sfidën e dy rivalëve të “Final 4”, Elbasani-Egnatia. Një barazim që u shoqërua me dy karton të kuq, nga një për skuadër, në ndeshjen hapëse të javës së 29-të të kampionatit Abissnet Superiore.
Mungon vetëm goli në “Elbasan Arena”, pasi ndeshja mes dy skuadrave që pretendojnë titullin këtë sezon ishte e bukur dhe e luftuar.
Boje ndëshkohet me karton të kuq pas 5 minutash lojë, duke lënë Elbasanin në inferioritet numerik që në startin e takimit. Gjithsesi vendasit nuk demoralizohen, madje i afrohen golit me Lajthinë, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla.
Pa kaluar 30 minuta lojë, rikthehet baraspesha në fushë, pasi Ruçi ndëshkohet me karton të kuq, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë.
Ndeshja është e bukur dhe të dyja skuadrat flirtojnë me golin. Fillimisht Lajthia për verdheblutë dhe më pas Fernando për miqtë.
Pjesa e dytë është më e vakët. Elbasani i afrohet golit të avantazhit në minutat e fundit, por Dajsinani ruan të paprekur portën e Egnatias.
Mbyllet në barazim 0-0 ndeshja në “Elbasan Arena”, me dy skuadrat që ndajnë nga një pikë. Elbasani ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 53 pikë, ndërsa Egnatia shkon në kuotën e 51 pikëve.


