Një barazim dramatik dhe me shumë emocione 2 me 2 i fiksuar në limitin e krejt takimit ka qënë ai i sfidës së luajtur pasditen e së shtunës në “Elbasan Arena” në mes Partizanit pritës dhe Egnatias udhëtuese. Ndeshja qe luhej për llogari të javës së 25-të të Abissnet Superiore do të niste mirë për skuadrën e Partizanit duke rrezikuar me Carën, i cili edhe pse me portën e boshatisur, nuk ia doli të shënojë. Atë që nuk e bën Partizani e bën Egnatia, e cila në minutën e 24-të shënon me anë të Ildian Shytit. Pas pësimit të golit është Partizani që këmbëngul më tepër duke rrezikuar shumë seriozisht në të 32-tën minutë me anë të Bitrit. Si dhe dy minuta më vonë edhe me Carën.
0-1 për rrogozhinasit mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që sapo fillon e dyta, në të 47-ën Partizani të fitojë 11-metërsh me anë të Skukës që e shpërdoron Esat Mala. Partizani do të barazonte shifrat në minutën e 60-të. Fillimisht goditja e Carës stampohet në traverse dhe më pas shkon në këmbët e Stenio Junior që vetëm e shtyn në rrjetë.
Në vijim Partizani merr një goditje jo të vogël kur Albion Marku ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Jackson në minutën e 65-të. Rrogozhinasit i besojnë shkodranit Ndriçim Shtubina duke e aktivizuar në minutën e 85-të dhe nuk vonon as më shume se tre minuta që ai të kalojë në avantazh Egnatian.
Nuk mjafton pësimi i golit, por Partizani mbetet me 9 lojtarë në fushën e lojës kur Bitri largohet me kartonin e kuq. Megjithatë, të kuqtë gjejnë forca të barazojnë. Dhe, këtë e arrijnë me anë të Stenio Junior në limitin e ndeshjes duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet në barazim 2-2.