Për trajnerin e Egnatias, Zekirija Ramadanin, barazimi me Laçin ishte një arritje e madhe për ekipin e tij. Për emisionin “Gol pas Goli”, tekniku tha se të marrësh një rezultat të tillë ndaj kurbinasve do të thotë shumë, por nuk harroi të theksonte se edhe fitorja mund të ishte marrë.
Barazimi: “Kjo ishte ndeshja e parë që kishim përballë Laçin, që ishte pak me probleme pas humbjes së fundit sepse herë të tjera ka ardhur pas disa fitoreve dhe ishte thuajse e pamundur të merrnim pikë. Sot vendosën të dilnim në zonën e dytë dhe të tretë të Laçit, të mos i linim shumë hapësira. Shpirti luftarak i yni ishte në nivelin e duhur, por edhe fati ishte në anën tonë, pasi të dalësh me pikë nga Laçi është shumë mirë. Gjithsesi nuk jemi plotësisht të lumtur, pasi Pedro humbi një super rast, por duhet të jemi të kënaqur.
Vuajtja te krahët: “Nuk është që nuk tentojmë, kjo është edhe meritë e kundërshtarëve që na bllokojnë shumë më tepër nga krahët. Pasi çdo skuadër bën analizën ku kemi pikën e fortë, do mundohemi që të mos jemi një ekip i lexueshëm dhe të ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje për stilin e lojës.”
Sulmi: “Është e saktë, ajo duhet të ishte arma jonë kryesore sot, por Ademi kishte shqetësime dhe sot ka luajtur me vështirësi, vetëm Jacksoni ishte në gjendje të luante mirë.”
Shpërblime për barazimin: “Këtë ia lëmë presidentit, ne kemi një njeri që është shumë i rregullt në aspektin financiar. Pagat i marrim me datë 2 ose 3 dhe është gjë shumë e mirë, dëshira për të shpërblyer ekipin sigurisht që ekziston, megjithatë i takon presidentit.”