Basket Femra-Vllaznia humbet në transfertë me Partizanin 85-57. Kuqeblutë, ndërlikojnë mundësinë e përfshirjes në katërshën e parë

Partizani-Vllaznia 85-57(25-17, 21-21, 20-12, 19-7)

Vllaznia në basketboll për femra ka regjistruar humbjen e dytë radhazi. Pas Teutës që e mundi në shtëpi me rezultatin 76-80, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 15-të të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë, skuadra e drejtuar nga tranerja Medina Mustafa, është mundur edhe nga Partizanin në transfertë me rezultatin 85-57 për javën e 16-të. Dy humbje këto që ndërlikojnë mundësinë e përfshirjes së Vllaznisë në katërshën e parë, ku sidomos humbja në shtëpi me Teuten ishte fatale, sepse ndeshej me një skuadër rivale direkte për katërshen e parë.

Referuar ecurisë së takimit të luajtur mbrëmjen e së enjtes në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, duhet thënë se rivaliteti mes ekipeve në fushën e lojës ka qënë kryesisht për pjesën e parë.

Partizani fiton periodën e parë 25-17, ndërkohë që perioda e dytë ka barazpeshë të plotë duke u mbyllur me shifrat 21-21, duke bërë që pjesa e parë të nxjerrë fitues Partizanin me shifrat 46-38.

Por, ajo që vendos gjithçka është pjesa e dytë, ku skuadra e kuqe dominon tërësisht ndaj ekipit kuqeblu, ku duke fituar periodën e tretë 20-12 dhe të katërt 19-7, e mbyll të gjithë ndeshjen me rezultatin 85-57 në favor të Partizanit.

Partizani-Vllaznia, ishte ndeshja e parë e javës së 16-të, ndërkohë që ditën e premte luhen dy çiftet e tjera, Flamurtari-Teuta dhe Tirana-Elbasani.

Në pritje të dy ndeshjeve të fundit të kësaj jave, me këtë fitore ndaj Vllaznisë, Partizani është ngjitur në vendin e dytë të klasifikimit me 24 pikë pas Flamurtarit që kryeson me 25 pikë.  Tirana dhe Teuta mbajnë vendin e tretë dhe të katërt me nga 23 dhe 18 pikë duke pasur nga një ndeshje më pak. Në vend të pestë është Vllaznia po me 18 pikë që tashmë rrezikon seriozisht vendin e katërt të fazës Play Off dhe pas saj, Studenti dhe Elbasani me 16 dhe 13 pikë me nga një ndeshje më pak.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu