Këtë mesjavë janë luajtur ndeshjet e javës së 14-të dhe të fundit për fazën e dytë të Ligës Unike në basketboll për meshkuj. Në përfundim të kësaj jave është mësuar renditja përfundimtare e skuadrave.
Kampioni Golden Eagle Ylli përfundoi garat e rregullta me 13 fitore dhe një humbje, ndërsa Peja ishte e dyta me nëntë fitore e pesë humbje. Këto dy skuadra janë kualifikuar direkt në gjysmëfinale.
Në vendin e tretë është Prizreni 16 me tetë fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Tirana, Teuta dhe Rahoveci kanë shtatë fitore e shtatë humbje, duke përfunduar në vendin e katërt, pestë dhe të gjashtë.
Në dy pozitat e fundit përfunduan Vllaznia dhe Kamza, të cilët nuk mund ta vazhdojnë më garën në këtë kompeticion.
Në çerekfinale të Ligës Unike do të përballen Prizreni 16 me Rahovecin dhe Tirana me Teutën.
Skuadra e cila nxjerrë rezultat më të mirë nga dy ndeshjet e zhvilluara do të jetë gjysmëfinaliste.
Ekipet më mirë të renditura luajnë si vendas në ndeshjen e kthimit.