Vllaznia-Elbasani 79-77(23-21, 20-22, 21-16, 15-18)
Pas Tiranës, të cilën e eleminuan në çerekfinale duke e mundur me rezultat të thellë 71-45, kuqeblutë e koshit triumfuan edhe në turin gjysmëfinal, teksa eleminuan sot edhe Elbasanin duke e mundur me rezultatin e ngushtë 79-77.
Sfida e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Durrësit është shoqëruar me një rivalitet të madh në mes dy skuadrave. Për këtë flasin edhe vetë shifrat e periodave, të cilat shoqërohen me rezultate të ngushta.
23-21 perioda e parë për Vllazninë dhe 20-22 e dyta për Elbasanin duke bërë që pjesa e parë të mbyllet në barazim 43 me 43.
Ajo që ndikon në suksesin e kësaj ndeshje është perioda e tretë, të cilën Vllaznia e fiton me rezultatin 21-16, ku ndonëse humb të katërtën 15-18 , arrin të fitojë me meritë të gjithë ndeshjen me shifrat e përgjithshme 79-74.
Në këtë mënyrë, Vllaznia zyrtarizohet si finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që menjëherë pas sfidës së saj, në të njëjtën fushë të pallatit të sportit “Dhimitraq Goga” ndjek gjysmëfinalen tjetër, Besëlidhja-Kamza, takim ky që fitohet nga lezhjanët me rezultatin 81-63.
Në këtë mënyrë, Kupa e Shqipërisë ka zyrtarizuar dy ekipet finaliste, Vllazninë dhe Besëlidhjen. Një derbi verior, që të dielën, ora 17:00, do të ballafaqohen në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Durrësit për fitoren e trofeut të Kupës së Shqipërisë, edicioni 2024-2025.