Basket Meshkuj-Vllaznia humbet në transfertë me Apoloninë 76-73 dhe zbret e fundit në tabelën e klasifikimit

Apolonia-Vllaznia 76-73(16-23, 23-14, 28-20, 9-16)

Apolonia-Vllaznia, ka qënë një nga çiftet më të rëndësishme të javës së 15-të të Kampionatit Kombëtar të Superligës së Basketbollit për meshkuj. Rëndësia e kësaj sfide kishte të bënte me faktin se dy skuadrat në fjalë renditeshin në fundin e tabelës së klasifimit, Vllaznia e pesta dhe Apolonia e gjashta, që të dyja me të njëjtën kuotë pikësh, nga 19-të të tilla.

Për Vllazninë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani, objektivi i së cilës është kualifikimi në fazën Play-Off, kërkohej vetëm fitorja. Dhe, starti i kuqebluve ishte mjaft i mirë, pasi në mbyllje të periodës së parë rezultati ishte 16 me 23 në favor të Vllaznisë.

Por, dhjetë minutat e periudhës së dytë janë për vendasit fierakë, të cilët duke e fituar me shifrat 23-14, e mbyllin pjesën e parë në avantazhin e tyre me rezultatin 39 me 37.

Pas kthimit nga dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, Apolonia vijon me atë ritëm që mbylli periodën e dytë. Ndonëse kuqeblutë japin disa shkëndija pozitive në momente të caktuara, janë përsëri fierakët që dalin fitues edhe në këtë periodhë me shifrat 28-20. Kësisoj, avantazhi i Apolonisë pas tre periodave rritet me dhjetë pikë diferencë(67-57).

Perioda e katërt, rikthen Vllazninë në lojën e saj, dhe me pikët e njëpasnjëshme të shënuara, jep sinjale të përmbysjes së rezultatit. Kuqeblutë arrijnë ta fitojnë këtë periodë 9 me 19, por nuk arrijnë të shkojnë më shumë se kuota e 73 pikëve, ndërkohë që Apolonia në tabelën elektronike ka shifren prej 76 pikëve, gjë që i jep fitoren e krejt ndeshjes me rezultatin e përgjithshëm, 76 me 73.

Një fitore kjo shumë e rëndësishme për Apoloninë që këmben pozicionet në tabelë me Vllazninë, e cila, tashmë, pas kësaj humbje, është e fundit në renditje duke u parakaluar nga fierakët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu