Përtej mungesave, vajzat kuqezi kanë gjetur suksesin e dytë, 79-72 ndaj Armenisë
Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç në basketboll për vajza e ka mbyllur me fitore pjesëmarrjen në Kampionatin Europian, që ka përfunduar të dielën në Jerevan. Pikërisht fitorja e dytë ka ardhur të dielën ndaj Armenisë, ndërsa vajzat kuqezi, edhe me mungesa, kanë arritur të fitojnë ndaj skuadrës vendëse, 79-72. Një ndeshje të cilën skuadra jonë e ka nisur mirë, ndërsa ka fituar periodën e parë 24-18.
Pavarësisht fitores së armeneve në periodën e dytë, 17-15, në pushim Shqipëria është në avantazh 39-35. Armenet nuk e ulin ritmin e lojës dhe duke fituar periodën e tretë 21-18 arrijnë të ngushtojnë deri në një pikë avantazhin e Shqipërisë, që udhëheq 57-56. Dhe ajo që i vuri vulën suksesit ishte perioda e katërt, 22-16 për Shqipërinë, që kështu fiton 79-72. Në këtë takim u dallua Klea Verri me 27 pikë të shënuara, 7 topa të kapura në tabelë, 4 asist.
Një ditë më parë, Shqipëria U-18 kishte pësuar një tjetër humbje të rëndë ndaj Zvicrës, me 61 pikë diferencë, 116-52. Përsëri më e mira Klea Verri me 33 pikë të shënuara dhe 4 topa të kapura në tabelë, por që nuk kanë mjaftuar për të minimizuar humbjen. Megjithatë me dy fitore dhe tre humbje, në kushtet e humbjes së dy lojtareve kryesore për shkak dëmtimi, Shqipëria U-20 për vajza e ka përmbushur misionin e vet.
Tanimë është radha e djemve të kësaj, që duke nisur nga e marta në Brno të Republikës së Çekisë do të jenë përballë Spanjës, Italisë, Kroacisë, Portugalisë dhe skuadrës vendëse.