Tuesday, January 21, 2025

Basketboll Femra-Vllaznia fiton me Studentin, por humb dy basketbollistet e saj Anisa Bokrina dhe Anisa Musaja

Lexo

Java e 12-të e Kampionatit Kombëtar të basketbollit femra ka regjistruar një fitore të thellë të Vllaznisë. Skuadra e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa mundi me një rezultat të thellë, me 30 pikë diferencë, 43-73 ekipin e Studentit. Për Vllazninë e basketit femra, spikati Rreshpja me 35 pikë, Dashja me 15 topa në tabelë dhe Hykaj me 18 pikë.

Por, përtej kësaj fitoreje, ajo që vlen të theksohet është se Vllaznia humbi dy basketbollistet e saj titullare, Anisa Bokrina dhe Anisa Musaja. Dhe, interesant është fakti, se këto dy basketbolliste kanë vendosur që karrieren e tyre sportive ta vazhdojnë pikërisht me skuadrën e Studentit, me të cilën Vllaznia u ndesh këtë javë.

Dy basketbollistet në fjalë, Bokrina dhe Musaja, së bashku me Sara Murçaj janë pjesë e treshes së bojkotit, që ato kanë deklaruar prej dy javësh duke mos qënë pjesë e proçesit stërvitor por edhe ndeshjeve zyrtare të skuadrës e kuqeblu.

Siç është bërë e ditur edhe më herët, treshja e basketbollisteve shkodrane Anisa Bokrina, Anisa Musaja dhe Sara Murçaj, pati kërkuar pak ditë më parë një trajtim më të mirë financiar nga ana e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër, dhe në mungesë të një përgjigje pozitive, dy prej tyre bënë hapin e parë duke deklaruar largimin nga Vllaznia dhe kalimin tek Studenti, ekip i cili drejtohet nga ish basketbollistja e Vllaznisë, Fjorentina Mitku.

Largimi i tyre nga skuadra kuqeblu përbën një problem jo të vogël për trajneren Medina Mustafa, e cila për momentin do ta ketë të vështirë përballimin e kampionatit me vetëm tetë basketbolliste. Një gjë e tillë u pa edhe në protokollin e ndeshjes me Studentin, ku në listë ishin Dashja, Reshpja, motrat Medina dhe Melika Hykaj, Kryeziu, Dibra, Haka dhe Demaj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img