Teuta-Vllaznia 103-73(25-18, 29-15, 24-19, 25-21)
Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur me humbje turin gjysmëfinal të Kampionatit Kombëtar për fazën Play Off. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi luajtën mbrëmjen e sotme në transfertë me Teutën e Durrësit.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka folur e gjitha për skuadrën vendase, shkëputja e së cilës ka nisur që në periodën e parë, të cilën Teuta e drejtuar nga trajneri malazez Nikola Miolatoviç e fiton me rezultatin 25 me 18.
Dhjetë minutëshi i periodës së dytë vijon të komandohet me të njëjtin ritëm nga ana e Teutës, madje diferenca është më e madhe se në periodën e parë duke fiksuar shifrat 29-15. Me dy fitoret e periodave të para, 25-18 dhe 29-15, Teuta shkon në pushimin mes dy pjesëvevme avantazhin e përgjithshëm prej 21 pikësh.
Rikthimi në fushën e lojës për pjesën e dytë pritej që të kishte një reagim ndryshe nga Vllaznia, por me sa duket skuadra në përgjithësi nuk ka qënë në një ditë të mirë. Kjo ka bërë Teuta vendase duke pasur në formacion edhe basketbollistin e talentuar shkodran, Elian Memçaj arrin të fitojë lehtësisht edhe periodën e tretë me rezultatin 24-19 duke i çuar shifrat në 78-52 dhe duke thelluar avantazhin e përgjithshëm në 26 pikë diferencë.
Nëse ka një lëvizje për mirë në kampin kuqeblu, është perioda e katërt, gjatë së cilës Vllaznia jep sinjale pozitive, por gjithësesi e mbyll me humbje edhe këtë periodë të fundit me shifrat 25-21 duke e humbur edhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm me 30 pikë diferencë, 103-73.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale e fazës Play Off mes çiftit, Vllaznia-Teuta, do të luhet mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke nisur nga ora 19:00.