Ndeshjet e javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të basketbollit, dy ekipet e Vllaznisë, femra dhe meshkuj, do t’i luajnë në shtëpi, respektivisht ndaj Partizanit dhe Besëlidhjes.
Sfida e parë do të jetë ajo e femrave në mes Vllaznisë dhe Partizanit, takim ky i planifikuar të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke nisur nga ora 16:00.
Në prag të kësaj ndeshje, Vllaznia e femrave renditet në vendin e katërt me 15 pikë, ndërkohë që kampionatin e kryesojnë Flamurtari dhe Tirana me nga 21 pikë, të ndjekur nga Partizani me 17 pikë. Është kjo arsyeja, që përballja e së dielës Vllaznia-Partizani luhet për vendin e tretë, që për momentin mbahet nga skuadra e kuqe me dy pikë më shumë.
Tre orë më pas ndeshjes së femrave, në orën 19:00, po në “Qazim Dervishi”, do të jetë supersfida e basketit meshkuj, Vllaznia-Besëlidhja e vlefshme për kategorinë e Superligës. Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve të fundit në Ligën Unike, Vllaznia, e cila shpartalloi Tiranën në shtëpi, 107-68, ndërkohë që Besëlidhja fitoi me vetëm një pikë diferencë ndaj Teutës në transfertë, 84-85.
Në prag të kësaj ndeshje, kampionatin e Superligës së meshkujve e kryeson Besëlidhja e Lezhës me 24 pikë, Teuta e dyta me 19 pikë, ndërkohë që në vend të tretë dhe të katërt renditen Vllaznia dhe Apolonia me pikë të barabarta, nga 17-të të tilla.