Duket se Kamza në basketboll për meshkuj, ia ka marrë dorën Vllaznisë. E mundi pak ditë më parë në Kupën e Federatës, ndërkohë që mbrëmjen e së mërkurës e mundi edhe në kampionat.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ishte për llogari të javës së tretë të Superligës së basketbollit shqiptar për meshkuj. Miqtë nga Kamza që drejtohen nga ish basketbollisti shkodran, Eni Llazani befasuan kuqeblutë që në start të takimit, kur fitojnë periodën e parë me shifrat e thella 14-24.
Me fitore e mbyllin kamzalinjtë edhe periodën e dytë 22-28, duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me me një diferencë prej 16 pikësh plus në favor të tyre, 36 me 52.
Me fillimin e pjesës së dytë ka një reagim pozitiv për skuadrën kuqeblu, e cila fiton periodën e tretë 26-23, por vetëm kaq sepse Kamza nuk lëshon më, dhe duke fituar periodën e katërt 23-24, fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm, 85-99.
Në dy çiftet e tjera të javës së tretë, Teuta mundi thellësisht Dinamon 88-56 dhe Tirana mundi Partizanin 59-75. Pas javës së tretë, në vend të parë janë 4 ekipe me pikë të barabarta, Tirana, Teuta, Kamza dhe Vllaznia, të cilat kanë të grumbulluar 5 pikë. Ndërkohë, në vend të pestë është Dinamo me 4 pikë dhe I fundit Partizani me 3 pikë.