Elbasani ka triumfuar përballë Vorës ditën e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të “Abissnet Superiore” me rezultatin 2-1 në favor të “verdhebluve”. Pas këtij dueli ka folur trajneri i Vorës, Arjan Bellai.
“Më vjen gjynah se japin shpirtin çunat. Hëngrëm golin me goditje standarde, gabim rreshtimi që duhet ta shikoj. Arritëm të ekuilibrojmë ndeshjen, nuk e lamë Elbasanin në kundërsulme. Elbasani është ekipi më i mirë në Shqipëri në tranzicionet e shpejta. Arritëm të barazojmë me Kasallën.
Mua më vjen keq për ndërrimet e detyruara të Shehit dhe Bajramajt. Shehi do na mungojë për 1 muaj e gjysmë. Çunat e rinj nuk i dinë manovrat, janë të rinj, nuk janë futur në tranzicionet, mekanizmat. Nuk u vë faj. Me Elbasanin luanim, janë lojtarë më me eksperiencë. Kur prish ekuilibrat në ekip, sigurisht që do kishim atë që pamë në fushën e lojës. Elbasani hypi shumë lart.
Disa kishin problem me gjendjen fizike, nuk dua të justifikohem, kishim 5-6 lojtarë më viruse. Repaj, Tabaku dhe Ruzgis, nuk janë stërvitur. Nuk është justifikim. Duhet të gjejmë më shumë forcë. Të jemi 100%. Të jemi për ndeshjet në vazhdimësi. Na duhen pikët ose të marrim fitore se kemi dy humbje, një fitore dhe katër barazime në shtatë ndeshje”, u shpreh Bellaj për “RTSH”.


