Pjerin Fushaj-Renato Malota-Elvis Plori, kjo është treshja e Artë që ka marrë përsipër të kthejë Besëlidhjen në nivelet që i takon.
Sa i takon Malotës, djaloshi shtatlartë që pas Besëlidhjes pati një karrierë brilante me Dinamon, Vllazninë, Laçin, dhe së fundmi me Egnatian, ku si kapiten i saj u shpall dy herë radhazi kampion i Shqipërisë, rikhehet në Lezhë, ku të gjithë atë përvojë të fituar në vite kërkon ta vërë në dispozicion të Besëlidhjes së tij.
Mesazhi mbështetës i dhënë nga Kryebashkiaku lezhjan Pjerin Ndreu për të ndërtuar një skuadër pretendente, me objektiv rikthimin në Superiore, është pasuar me një organizim të shpejtë dhe profesional të stafit lezhjan, të cilët po kompletojnë vendet e duhura për çdo repart që i nevojitet skuadrës.
Pasditja e së premtes ka qënë shumë e ngarkuar për stafin lezhjan, pasi kanë filluar të hidhen firmat e para në ndërtimin e skuadrës së re.
Kështu, pas Arsid Krujës, për Besëlidhjen ka firmosur edhe një shkodran tjetër. Bëhet fjalë për mesfushorin Abaz Karakaçi, i cili pas karrieres me Vllazninë, Besëlidhjen, Kastriotin, Elbasanin dhe kampionatin kosovar, është rikthyer përsëri në Lezhë duke u vënë në dispozicion të trajnerit Elvis Plori.
Emri i radhës që vesh fanelen e Besëlidhjes është Sokol Neziri, mbrojtësi, i cili më herët ka luajtur me sukses për ngjyrat e Kastriotit të Krujës, Flamurtarit si dhe në kampionatin kosovar me Lirinë e Prizrenit.
Lista e firmave të ditës së premte vazhdon me një tjetër shkodran, Jasmin Rraboshtën, përvoja e të cilit si sulmues dhe goleador, krahas Vllaznisë ka spikatur për shumë skuadra, brenda dhe jashtë vendit, dhe që tashmë do të kontribuojë për realizimin e objektivave të Besëlidhjes.
Këto janë të rejat më të fundit nga kampi lezhjan që i përkasin së premtes, ndërkohë që dita e re e 6 shtatorit, pritet të vijojë me firmat e emrave të tjerë cilësorë të piketuar nga stafi lezhjan në mënyrë që skuadra të kompletohet për startin e sezonit të ri të Kategorisë së Dytë, grupi A.
Gaspër MARKU