Dita e tretë e Kampionatit Kombëtar të boksit për të rritur, aktivitet që u zhvillua për tre ditë me radhë në pallatin e sportit të qytetit të Shkodrës është shoqëruar me incidente që ia prishen bukurinë e dy ditëve të para, por edhe të shtatë ndeshjeve finale të ditës së tretë.
Pikërisht pas ndeshjes së peshës së shtatë deri në 75 kg, atë në mes mes Arjon Kajoshit të Vllaznisë dhe Alban Beqirit të Tiranës kampionati u përfshi në probleme. Në fakt, tre raundet e kësaj ndeshje u shoqëruan me luftë të fortë sportive dhe rivalitet mes boksierëve në fjalë. Korrektesa dhe fair play mes dy boksierëve në ring vijoi të ishte prezent, jo vetëm gjatë dyluftimit, por edhe pas shpalljes së vendimit të gjyqtarisë, ku me rezultatin 2 me 1 i jep fitoren boksierit shkodran, Arjon Kajoshi.
Megjithatë, pas ndeshjes, boksierët e Tiranës dhe stafi i tyre teknik reaguan ndaj gjyqtarisë kryesore duke pretenduar për një ndryshim të rezultatit të tre gjyqtarëve anësore që në fakt kishin votuar 2 me 1 për Kajoshin, por nga kampi bardheblu dyshonin se vendimin e ka përmbysur kryegjyqtari i kampionatit.
Të pakënaqur nga vendimi i gjyqtarisë Tirana vendosi të tërhiqej nga aktiviteti, por në dalje e sipër nga mjediset e pallatit të sportit pati një tjetër përplasje mes trajnerit bardheblu dhe tifozërisë shkodrane duke u përfshirë në një sherr masiv. Ndërhyrja e organizatorëve dhe më pas edhe e policisë së rendit, rivendosi normalitetin në pallatin e sportit.
Gjatë kohës së pauses, Kryregjyqtari i kampionatit, Baftjar Abazaj, komenton situatën në fjalë si dhe sqaron opinionin përmes medias se ai nuk ka të drejtë të ndryshojë asnjë vendim që vjen nga protokollet e gjyqtarëve anësorë të ringut dhe për këtë deklaron se dokumentet origjinalë janë të disponueshëm për verifikim. Një tjetër prononcim për ngjarjen e ndodhur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” vjen edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli, i cili po e ndiqte ditën e tretë finale fare pranë ringut dhe që sipas tij, duhet pritur sipas rregullores rreth një orë për një mundësi rikthimi të ekipit të Tiranës në aktivitet dhe më pas të vendosej për vendimin që duhej marrë.
Në këtë mënyrë, pasi ka kaluar afati i duhur prej një ore pritje dhe ekipi i Tiranës nuk është rikthyer, drejtuesit e Federatës organizuan një mbledhje urgjente më trupen gjykuese të aktivitetit ku u vendos që kampionati të vazhdojë aty ku u ndërpre dhe me ato boksierë që janë prezent.
Në ring janë ngjitur njëri pas tjetrit boksierët, Arjon Kajoshi i Vllaznisë, Mikel Çullai i Studentit, Kristian Demaj dhe Nelson Hysa të Vllaznisë , të cilët u shpallën fitues për mungesë të kundërshtarit në ring. Duke përfshirë edhe fituesit e gjashtë peshave përpara se të ndërpritej aktiviteti, Bashkim Bajoku i Vllaznisë, Laur Alliu i Vllaznisë, Krenar Zeneli i Flamurtarit, Shpëtim Bajoku i Vllaznisë, Mateho Zeneli i Flamurit, Denis Nurja i Tiranës, në përfundim të krejt aktivitetit është zhvilluar edhe ceremonia e mbylljes së kampionatit duke shpallur Vllazninë kampione të Shqipërisë për herë të 24-tërt. Në vend të dytë dhe të tretë si ekip u renditen, Flamurtari dhe Studenti.
Ndërkohë, gjyqtaria ka shpallur boksierin më të mirë të kampionatit që është Krenar Zeneli i Flamurtarit, boksieri më teknik Shpëtim Bajoku i Vllaznisë dhe boksieri më luftarak Mikel Çullaj i Studentit. Me diplomë është vlerësuar edhe shkodrani Oltion Kraja si gjyqtari më i mirë i aktivitetit. Pjesë e ceremonisë së mbylljes ishte nderimi me çertifikatë “Mirënjohje” që Federata Shqiptare e Boksit i bëri ish trajnerit të Vllaznisë dhe të kombëtares, Jozef Sermi, për kontributin e dhënë në zhvillimin e boksit shkodran dhe atij shqiptar, i cili prej një viti është larguar nga Shqipëria duke jetuar me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rezultatet teknike të ditës së tretë:
Pesha 54 kg. Bashkim Bajoku(Vllaznia)-Kristian Koço(Flamurtari), fiton Bashkim Bajoku.
Pesha 57 kg. Luar Aliu(Vllaznia)-Ardit Murja(Tirana), fiton Luar Aliu.
Pesha 60 kg. Krenar Zeneli(Flamurtari)-Enes Bakalli(Tirana), fiton Krenar Zeneli.
Pesha 63.5 kg. Shpëtim Bajoku(Vllaznia)-Alket Sina(Tirana), fiton Shpëtim Bajoku.
Pesha 67 kg. Mateho Zeneli(Flamurtari)-Ibrahim Mezani(Flamurtari), fiton Metho Zeneli
Pesha 71 kg. Xhoi Eliazi(Vllaznia)-Denis Nurja(Tirana), fiton Denis Nurja.
Pesha 75 kg. Arjon Kajoshi(Vllaznia)-Alban Beqiri(Tirana), fiton Arjon Kajoshi,
Pesha 80 kg. Taho Llanaj(Tirana)-Besar Sulaj(Tirana)…nuk u zhvillua,
Pesha 86 kg. Mikel Çullaj(Studenti)-Alban Bermeta(Tirana), fiton Mikel Çullai.
Pesha 92 kg. Kristian Demaj(Vllaznia)-Klajdi Tema(Tirana), fiton Kristian Demaj.
Pesha +92 kg. Nelson Hysa(Vllaznia)-Indrit Laçi(Tirana), fiton Nelson Hysa.