Kombëtarja shqiptare arriti një fitore të madhe dhe historike ndaj Serbisë në stadiumin “Dubocica” në Leskovac.
Kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo luftuan deri në fund për të mbrojtur rezultatin e arritur falë supergolit të Rey Manajt në fundin e pjesës së parë.
Ky rezultat blindon vendin e dytë për Shqipërinë në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, pasi kuqezinjtë kanë 11 pikë, 4 më shumë se Serbia e vendit të tretë.
Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Strakosha (GK), Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Shehu, Asllani, Laçi, Broja, Manaj dhe Uzuni.
Ndeshja nisi e qetë, me Shqipërinë të vendosur mirë në prapavijë për të shmangur çdo rrezik. Pas disa minutash, kuqezinjtë tentuan më shumë drejt sulmit dhe provuan disa herë me Manajn, Uzunin dhe Brojën për të krijuar rrezik.
Në fundin e pjesës së parë, pas një goditjeje këndi, Manaj zhbllokoi rezultatin me një goditje spektakolare, duke çuar në peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve.
Pjesa e dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese dhe me një qarkullim të mirë të topit. Në minutën e 64-t, trajneri Silvinjo kreu zëvendësimin e parë, nga loja doli Armando Broja dhe u aktivizua Arbër Hoxha.
Në vijim, dolën edhe Rey Manaj dhe Qazim Laçi, ndërsa u aktivizuan Mirlind Daku dhe Nedim Bajrami.
Shqipëria administroi deri në fund rezultatin dhe siguroi një fitore të madhe 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë më 14 tetor ndaj Jordanisë. Ndeshja miqësore do të luhet në “Air Albania”, në orën 19:00.