Monday, September 16, 2024

Broja nuk ia del, Silvinjo para Çekisë: Ndeshja ime më e rëndësishme

Lexo

Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo ka pranuar në konferencë për shtyp se ndeshja me Çekinë është shumë e rëndësishme, por jo vendimtare në rrugën drejt “Gjermani 2024”. E konsideron si një nga tre finalet, kur kanë mbetur dhe tri ndeshje deri në fund, por e gjithë vëmendja është e përqëndruar te sfida e nesërme në “Air Albania” ku do të kërkohen pikë.

Kemi mbërritur deri këtu, në një moment final, mendon se lojtarët kanë nevojë për motivim, apo situata në të cilën ndodhemi është motivuese për ta?

“Ashtu siç tha edhe Gjimshiti, është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Është një ndeshje e vështirë, përballë kemi një skuadër fizike, që ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka humbur akoma. Na mungojnë akoma dhe tri finale, e para është nesër, nuk do të jetë aspak e lehtë, por ne jemi gati”.

Keni që nga ndeshja me Poloninë që po punoni me anën psikologjike të lojtarëve, keni kontaktuar me ta, keni folur, që të jenë të qetë, të përqëndruar, sa ia keni dalë?

“I vizitojmë dhe takojmë gjithmonë futbollistët. Takuam Muçin në Varshavë, ikëm në Barcelonë, Londër. E përsëris, jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë mirë deri këtu. Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin, por kjo nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm”.

Ky grumbullim është karakterizuar nga disa dëmtime, mes tyre dhe ai i Brojës. Si është gjendja e tij, është gati për të luajtur?

“Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot. Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelsea. Më vjen keq, por lojtari nuk luan dot nesër. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mire, për të arritur në fund në ndeshjen e nesërme. Gjasula është rikthyer, nuk ka problem”.

A është kjo ndeshja juaj më e rëndësishme si trajner?

“Të gjithë ndeshjet janë të vështirë, por kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner nëse flasim për kohën e tashme. Por nuk është vendimtare. E kam thënë edhe më parë, në nëntor vendoset kualifikimi dhe atëherë do të bëjmë llogaritë. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit. Për mua si trajner, sigurisht që kjo është ndeshja më e rëndësishme”.

Është një ndeshje që tifozët duan ta fitojnë, lojtarët duan ta fitojnë, por ndoshta logjika thërret për diçka tjetër. Cili do të jetë stili i lojës që ne duhet të bëjmë?

“Është shumë e rëndësishme që ne të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, sidomos për tifozët tanë dhe të jeni të sigurtë që kjo nuk do mungojë aspak, sepse kjo është forca e kësaj skuadre, pra të hyjnë në fushë me zemër dhe me shpirt dhe të djersisin në maksimum. Sigurisht, nëse flasim për aspektin taktik, strategjia e lojës mund të jetë e njëjtë me atë të parën. Çekia ka një skuadër shumë të fortë. Janë të fortë në tranzicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarte, apo te krosimet. Kështu që duhet të përgatitemi mire për këtë ndeshje”.

Ka patur një valë të re të lojtarëve që kanë ardhur nga Kosova, si Daku apo Muja. A do vazhdojë kërkesa e stafit për të ardhur lojtarë të tjerë?

“Në këtë moment jam i fokusuar vetëm te ndeshja. Kemi lojtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga gjithë trevat shqiptarë. Pak rëndësi ka nga është origjina e një futbollisti. Nëse lojtarët janë në gjendje të luajnë me ne, kanë cilësitë e duhura dhe e ndjejnë, atëherë mirë se të vinë. Lojtarët e ardhur  po bëjnë shumë mirë me Shqipërinë”.

Nëse në fund të ndeshjes nëse rezultati do të ishte barazim, do ishte e kënaqshme për ju, apo do luanit deri në fund duke marrë përsipër edhe rrezikun që mund të vijë?

“Nëse nuk fitojmë, atëherë do isha i kënaqur edhe me një barazim. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen”.

Mesfushori i Spartës së Pragës, Qazim Laçi do ketë shanse për të qenë në formacion?

“Akoma nuk e kemi vendosur formacionin. Praktikisht kemi vendosur në masën 80%, por mungojnë disa detaje, do shikojmë edhe nesër gjendjen dhe do vendosim”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img