Duke folur pas barazimit me Estoninë, për Armando Brojën, mungesa e golit në skuadrën tonë përfaqësuese nuk është vetëm përgjegjësi e repartit të sulmit, por edhe e gjithë skuadrës në përgjithësi.
“Unë them se kur stërvitemi më shumë bashkë dhe kur shihemi çdo ditë siç shihemi në ekipe, është më rehat kur je bashkë dhe i njeh të gjithë. Por kur vjen një herë në muaj dhe stërvitemi 4-5 ditë bashkë e kemi ndeshje, është e vështirë të kuptosh lojtarët. Nuk e di çfarë të them. Se jemi të fokusuar në stërvitje dhe shkojmë mirë por në ndeshje nuk shkojnë rezultatet mirë. Ka raste kur luajmë topin mirë dhe kemi raste të shënojmë dhe nuk kemi fat ndonjëherë.
Nuk është sulmi vetëm 2-3 lojtarë, është gjithë ekipi. Sulmi fillon te portieri që e nis me pasim, edhe kështu shkon topi te zona e tyre. Të gjithë lojtarët duhen për sulm, jo vetëm 2-3 lojtarë që hyjnë në zonë për të bërë gola.
Unë them të vazhdojmë të stërvitemi mirë si grup, të komunikojmë me njëri-tjetrin, stafin e lojtarët dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha. Por na duhet vetëm të komunikojmë më shumë dhe të jemi më të përqendruar te ndeshja.
A është komunikuar me trajnerin për një mënyrë tjetër loje? Ky është stili i trajnerit dhe çfarë bën trajneri nuk mund të ndryshosh. Ai zgjedh lojtarët, formacionin, ekipin, ne vetëm mendojmë të japim maksimumin në fushë të fitojmë ndeshjen. Por vendimet i merr trajneri, jo lojtarët”, u shpreh për Super Sport, Armando Broja, pas miqësores me Estoninë, takim ky i mbyllur në barazim 0-0.