Është zhvilluar sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 19 pjesëmarrësit që mbyllën me sukses edicionin e gjashtë të kursit për video-analistë futbolli të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë ceremoni, përveç drejtuesve të projektit Alarico Rossi dhe Endi Çuçi, ishin të pranishëm edhe Drejtori Teknik, Fulvio Pea, Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova si edhe specialisti i Departamentit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj.
Ky edicion i kursit ishte i ndarë në dy periudha dhe të gjithë kursantët patën mundësi të merrnin leksione se si të mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë informacione për punën e skuadrës, trajnerit dhe drejtuesve.
Profesion i video-analistit sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i kërkuar në stafin teknik të çdo skuadre, duke marrë parasysh zhvillimin e madh të teknologjisë dhe rëndësinë që ka marrë analiza e statistikave të çdo skuadre para ndeshjes.
Video-analisti është një figurë e pranishme në të gjithë stafet e nivelit profesionist në futbollin ndërkombëtar dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në çdo klub, teksa në Shqipëri, përveç ekipeve Kombëtare, ky profesion është bërë shumë i rëndësishëm edhe në klubet e Kategorisë Superiore.