Wednesday, December 4, 2024

Çështje dinjiteti! Njoftim surprizues i Basania FC. Ekipi i të rrituve, nuk do të jetë më! Një vendim emocional i ardhur nga humbja me Naftëtarin, që mund dhe duhet të ketë rishikim, pasi dinjiteti i Basanias i duhet futbollit shqiptar

Lexo

Basania FC, klubi simpatik i zonës së Bushatit që përfaqëson Bashkinë Vau Dejes, është padyshim ndër klubet më dinjitozë të futbollit shqiptar. Falë pasionit të presidentit Ermir Shimaj, personit që themeloi klubin në fjalë, Basania FC, formoi, funksiunoi dhe u bëri paraqitje shumë cilësore në kampionatet rajonale dhe ato kombëtare me ekipet e moshave.

Arritja më e madhe ishte formimi edhe i ekipit të parë, të rritur, ku pas suksesit të arritur në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë, për sezonin futbollistik 2024-2025, fitoi të drejtën e konkurimit në Kategorinë e Dytë.

Një konkurim me të vertetë dinjitoz, ku edhe pse debutues dhe pa përvojën e duhur, Basania FC, u përball si e barabartë dhe me pretendime serioze me ekipe të traditës të grupit A të mbështetura nga Bashkitë përkatëse, të Lezhës, Pukës, Koplikut, Krujës, Luzit, etj.

Pa lënë mënjanë këtu, që me kontributin direkt të presidentit Shimaj, investimet në fushën e vjetër të Bushatit, ambienti në fjalë u shndërrua në një qëndër argëtuese edhe për tifozërinë e zjarrtë bushatase, e cila, përpos seancave stërvitore deri në orët e vona të mbrëmjes nën dritën e prozhektorëve, nuk mungonin çdo fundjavë për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës në ndeshjet zyrtare të kampionatit.

Por, krejt papritmas, mbrëmjen e sotme, pasi pak më herët Basania është mundur në transfertë nga Naftëtari, 3-2, presidenti Ermir Shimaj është “dorëzuar”, duke bërë një deklaratë publike krejt befasuese për opinionin sportiv.

Deklarata

Që në krye të herës dhe gjithmonë, vazhdimisht DINJITETI ka qënë standart i pa’tolerueshëm për Basanian…

…besoj se e kujtoni shprehjen e disa’herë’përsëritur “Basania ose do të jetë Dinjitoze ose nuk do të jetë fare”

Kështu që duke analizuar të gjitha detajet dhe duke i peshuar mirë situatat, ka ardhur momenti që Basania për të rritur nuk do të jetë më.

Bëmë gjithçka ditëm & mundëm e ndoshta shpesh bëmë edhe atë që mund të dukej e pamundur.

Krenar për historinë e bërë

Nuk u blemë as shitëm e as u nënshtruam kurrë.

Pafund mirënjohje çdo bashkëpunëtori për kontributin e Tij.

Faleminderit çdo’kujt që ishte pjesë e këtij rrugëtimi.

Super falenderim opinionit sport’dashës të zonës por jo vetëm, tê gjithë rajonit tonë dhe shumë më tej.

Kaq për momentin.

Dëgjohemi sërish

Basania FC

Në atë çfar lexohet në deklaratën e Shimajt, duket qartë se në këtë mes ka një çështje dinjiteti. Që do të thotë, se Basania FC, është futur në garën e fortë dhe të vështirë të kampionatit me objektiv për të bërë më të mirën e mundshme. Jo vetëm për të mbijetuar në kategorinë e dytë, por, me objektiv për të shkuar më tej, ku synimi ka qënë, jo vetëm kategoria e parë, por edhe më lart drejt Superiores.

Por, duke pasur si parim kryesor dhe themelor, dinjitetin në aspektin personal, gjë që ka këmbëngulur ta përcjellë edhe tek skuadra e tij, diçka nuk shkon. Ajo çfar ai ka nënvizuar në deklaratën e tij zyrtare të mbylljes së pjesëmarrjes në konkurim për ekipin e parë të rritur, flet pikërisht për çështje dinjitet. Por, gjithësesi, mbetet për t’u parë, nëse ky vendim ka nevojë për rishikim, apo për vazhdimësinë, mund të ketë reflektime të tjera, pasi, me shumë mundësi, deklarata e mbrëmjes së sotme, mund të jetë emocionale.

E themi këtë, me plotkuptimin e fjalës, sepse Basania FC, i duhet zonës sportdashëse të Bushatit, dhe jo vetëm. I duhet, Bashkisë Vau i Dejes, Qarkut të Shkodrës dhe veriut shqiptar në përgjithësi.

Gaspër MARKU

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img