Sunday, November 24, 2024

Çfar po ndodh me Vllazninë?!? Nga humbja me Tiranën tek turpërimi 3-0 me Egnatian. Europa në rrezik!

Lexo

Humbja një jave më parë në “Loro Boriçi” me Tiranën u përjetua në mënyrën më të keqe në mjedisin sportiv shkodran e më gjërë ku gjenden tifozët e Vllaznisë. Humbje që u shoqërua me një sërë kritikash nga ana presidentit kuqeblu Alban Xhaferi në drejtim të skuadrës. Humbje që provokoi edhe largimin e trajnerit Brdariç duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë e rezultateve negative të Vllaznisë në ndeshjet e fundit.

Lëvizjet në staf, gradimi i Elvis Plorit në cilësinë e trajnerit të parë si dhe emërimi i Auron Milotit si zv.trajner u shoqëruan me optimizmin e ndryshimit të situatës. Dhe, kjo pritej që të reflektohej që në ndeshjen e radhës, por përballja e sotme në transfertë me Egnatian e thelloi edhe më tepër krizën në kampin kuqeblu.

Humbja e sotme 3 me 0 në Rrogozhinë ishte një turpërim total që skuadra vendase e cila lufton për mbijetesë i bëri Vllaznisë që deri dje kërkonte titullin, por që tashmë rrezikon seriozisht edhe pjesëmarrjen në Europë.

Përkundër ndonjë pretendimi në vendimmarrjen e sistemit VAR për rastin e golit të parë, Vllaznia bëri shumë pak për ta fituar ndeshjen. Madje, në pjesën e parë, nëse nuk do të tregonte aftësitë e tij portjeri Zogoviç, ajo mund të pësonte edhe një gol tjetër.

Për hirë të së vertetës, 45 minutëshi i dytë nis më mirë për Vllazninë e cila lëshohet e tëra në sulm për të gjetur golin e barazimit, të cilin edhe për meritë të portjerit vendas Puja nuk arriti ta gjente në asnjë moment.

Pastaj, vjen gafa e mesfushorit Heriç që me një ndërhyrje jo shumë të nevojshme ndëshkohet me të verdhin e dytë dhe më pas të kuqin duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë në fushën e lojës.

Pjesa tjetër e lojës është një shpërfytyrim i çuditshëm i skuadrës, sidomos në prapavijë, ku ashtu si edhe në pjesën e parë Pedro Augustos tund edhe dy herë të tjera rrjetën e Vllaznisë, përkatësisht në të 78’ dhe të 87’. Sidomos i treti është një eurogol i brazilianit të Egnatias. 3 me 0 për Egnatian përballë një Vllaznie të dorëzuar në të gjitha drejtimet.

Debutim me humbje për trajnerin Elvis Plori, njeriun që ka punuar për rreth dy vite krah për krah trajnerit të parë Thomas Brdariç. Optimizmi i tij në konferencën e shtypit të pragndeshjes me Egnatian ishte jo i pakët duke pohuar se ka marrë garancinë e futbollistëve për të marrë rezultat pozitiv.

Por, bazuar edhe në mungesat e disa titullarëve, zgjedhjet e tij për t’iu kundërvënë skuadrës kundërshtare duket se nuk ishin të duhurat. Madje, kishte edhe kritika të drejtpërdrejta nga specialistë dhe ish futbollistë të Vllaznisë në lidhje me ndërtimin e formacionit.

Në të tilla kushte, situata në kampin kuqeblu është edhe më e rënduar sesa pas humbjes së javës së kaluar me Tiranën. Kjo për faktin, se pikët e lëna sot në Rrogozhinë kanë fundosur mundësinë e kapjes së zonës Europiane përmes kampionatit. Ndërkohë, përballja e gjysëmfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Partizanit që është në prag dhe që konsiderohet si shpresa e vetme për të shpëtuar sezonin e gjen skuadrën në një moment aspak të favorshëm moralo-psikologjik

Situatë, e cila kërkon patjetër të analizohet me shumë kujdes dhe seriozitet nga presidenca kuqeblu, e cila në bashkëpunim me stafin teknik dhe futbollistët duhet të mos lejojë hedhjen në erë të shumave marramendëse të financuara për projektin e pretendimit të një Vllaznie për titull, dhe më e pakta për Kupat e Europës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img