Monday, January 13, 2025

Çfar po ndodh tek basketbolli shkodran?! Pas dorëheqjes së trajnerit Vllaznia U20 Kristian Koqeku për mungesë kushtesh stërvitore, vjen edhe bojkoti i 3 basketbollisteve të ekipit të parë për mos pagesa financiare

Lexo

Shoqata e Basketbollit Vllaznia është përfshirë ditët e fundit në probleme të aspektit organizativ. Fjala është në lidhje me disa pretendime që janë shfaqur fillimisht në ekipin Vllaznia U20 për meshkuj, si dhe më pas në ekipin e parë të basketbollit femra.

Nga sa bëhet me dije problemet në ekipin e basketbollit U20 kishin të bënin me mungesen e plotësimit të kushteve minimale nga shoqata dhe Bashkia Shkodër duke detyruar trajnerin Kristian Koqeku të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së tij, e cila ishte në pozita pretenduese për fitimin e titullit kampion.

Deklarata e trajnerit  Koqeku

“Me këtë shkrim dëshiroj të shpreh dorëheqjen time nga posti i trajnerit të ekipit U20 të basketbollit. Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi objektivi im kryesor ishte të drejtoja ekipin drejt fitimit të titullit kampion.

Fatkeqësisht, mungesa e plotësimit të kushteve minimale nga shoqata dhe Bashkia Shkodër ka bërë të pamundur realizimin e këtij objektivi. Ndërkohë që kam bërë maksimumin për të përmbushur detyrimet e mia si trajner, kushtet e papërshtatshme kanë kufizuar seriozisht mundësinë për të zhvilluar ekipin dhe për të arritur rezultatet që dëshironim të gjithë.

Dua të falënderoj lojtarët për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur, si dhe të gjithë ata që kanë mbështetur ekipin gjatë rrugëtimit tonë. Jam krenar për çdo përpjekje dhe arritje, pavarësisht sfidave që kemi hasur.

Shpresoj që në të ardhmen të ndërmerren hapa konkretë për të përmirësuar kushtet dhe për të mbështetur më mirë sportin dhe talentet e rinj.

Ju uroj suksese në vazhdimësi dhe mbetem i hapur për të ndihmuar basketbollin në çdo mënyrë tjetër të mundshme.”

Bojkoti i vajzave të basketbollit

Ndërkohë, problematika në radhët e ekipit të parë të basketbollit Vllaznia femra që drejtohet nga trajnerja Medina Mustafa, ka të bëjë me bojkotin e 3 basketbollisteve kuqeblu nga proçesi stërvitor por edhe në ndeshjen zyrtare të javës së 11-të të Kategorisë së Parë përballë Flamurtarit. Takim ky, i cili u zhvillua pasditen e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku Vllaznia u mund me rezultatin e thellë 50-77, në të cilin trajnerja Mustafa nuk kishte në dispozicion tre basketbollistet Anisa Bokrina, Sara Murçaj, Anisa Musaja.

Nga sa bëhet e ditur, basketbollistet në fjalë kanë shfaqur pretendime në lidhje me pagesat financiare, dhe në mungesë të një përgjigje pozitive nga ana e drejtuesve të Shoqatës së Basketbollit Vllaznia si dhe të Bashkisë Shkodër, kanë vendosur bojkotin.

Për të dy rastet në fjalë, dorëheqjen e trajnerit të Vllaznisë U20 Kristian Koqeku si dhe të bojkotit të tre basketbollisteve të talentuara dhe me peshë për formacionin kuqeblu, deri më tash nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia për të sqaruar opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë në lidhje me situatën në fjalë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img