Etapa e dytë e Turit të 81-të të Shqipërisë në Çiklizëm ishte ajo Korçë – Elbasan, që është fituar nga çiklisti nga Gjibraltari, Frank Longstaff. Ai e preu i pari vijën e finishit në kohën 3h30’28”. Pas tij në vendin e dytë u rendit serbi Ognjen Iliç, i cili bëri një garë të mirë, ndërsa të dy së bashku krijuan një distancë të konsiderueshme me pjesën tjetër të sportistëve.
58 çiklistë u nisën nga Korça mesditen e së martës, por vetëm 55 prej tyre arritën ta mbaronin këtë etapë. Sportistët përshkruan një distancë prej 153.4 kilometrash. Kombëtarja serbe është ajo që deri më tani po kryeson si ekip, ndërsa renditja e përgjithshme udhëhiqet nga Djorde Djuriç, i cili fitoi etapën e parë.
Në etapën e dytë, Korçë – Elbasan ai erdhi i treti në një distancë prej 1’57” nga dy çiklistët e parë. Etapa e tretë është Elbasan – Vlorë, kurse Turi i 81-të Çiklistik i Shqipërisë përfundon më 24 maj.