Pas Kupës “Tirana” zhvilluar pak ditë më parë, këtë fundjavë, Federata Shqiptare e Çiklizmit organizoi Turneun Mbarëkombëtar “26 Marsi”, një aktivitet ky tradicional që zhvillohet nën kujdesin e Bashkisë Kavajë kushtuar ditës së festës së Demokracisë së këtij qyteti.
Në programin e aktivitetit, që këtë sezon, krahas ekipeve shqiptare, pjesëmarrës ishin edhe ekipe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, konkurimi ishte në tre kategori, atë të të rinjëve, U-23 dhe të rriturve. Në dy prej tyre, atë të garës së të rinjëve dhe të 23 vjeçarëve, çiklistët shkodranë të drejtuar nga trajneri I tyre, Leonat Kola, arritën të fitojnë trofetë përkatës.
Trofeu i parë i takon çiklistit, Servet Kastrati, i cili në etapën, Kavajë-Maminas-Kavajë, 105 kilometër e gjatë ishte më i miri dukle fituar vendin e parë.
Ndërkohë, trofeu tjetër ka për protagonist, Bruno Kolën, çiklistin, kuqeblu, i cili mbërriti i pari në finish për kategorinë e moshës deri në 23 vjeç. Ndërkohë, si pjesë e garës me moshat më të rritura, Bruno Kola u rendit në vedin dytë.
Në programin e aktiviteteve kombëtare të këtij viti, Federata Shqiptare e Çiklizmit ka në kalendar, zhvillimin në Shkodër të Kupës “Agim Tafili”, por nga ana e institucionit të Bashkisë Shkodër që duhet të jetë mbështetës i aktivitetit, nuk ka akoma një konfirmim zyrtar.