Quhet Dejan Bashi. Ka lindur në Shkodër, 26 vjet më parë, por fatkeqësisht, një problematikë që e shoqëroi në momentin e ardhjes në jetë në maternitetin e Shkodrës, ndikoi në shëndetin e tij duke e lënë me pasoja.
Megjithë përkujdesjen maksimale të familjes së tij, që në fëmijëri shfaqen shenjat e një personi me aftësi ndryshe. Në kërkim të një shërbimi më të specializuar mjekësor, prindërit e tij e shoqërojnë në Francë në vitin 2000, aty ku jeton edhe sot së bashku familjen e tij që vazhdon të përkujdeset me shumë përkushtim për të, tashmë të gjithë pjesëtarët e kësaj familje me statusin e shtetasit francez.
Së bashku me babanë e tij, Refik Bashi, Dejani ka befasuar kur është shfaqur në stadiumin ”Jean Bouin” të Parisit me motorrin e invalidit për të ndjekur ndeshjen e Vllaznisë së futbollit të femrave përballë kampiones së Francës, PSG.
Me to është parë edhe Ervin Baku, gazetari i mirënjohur sportiv i Radio Tiranës, i cili këto ditë ishte rikthyer për pak ditë në Strasbourg, aty ku ka shërbyer për 17 vjet si gazetar pranë Këshillit të Europës, të cilët kanë udhëtuar së bashku 1100 km (vajtje-ardhje) për të ndjekur Vllazninë.
Pasi është informuar nga gazetari Baku, për praninë e Dejanit në tribunën qëndrore të stadiumit parizien, Presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija është shkëputur për pak caste nga skuadra përpara ndeshjes duke i dhuruar shallin kuqeblu të Vllaznisë, Dejanit dhe babait të tij, Refik.
Ndërkohë, pas ndeshjes, të ftuar për një kafe në hotelin ku ishte akomoduar Vllaznia, presidenti Lazër Matija, i ka dhuruar Dejanit uniformën e Vllaznisë. Një moment që është shoqëruar me shumë emocione nga Dejani.
Në pamundësi për të komunikuar gojarisht, por duke kuptuar dhe shijuar çdo respekt që bëhet ndaj tij, është babai i tij Refiku, që na bën të ditur se Dejani është një tifoz i çmendur i Vllaznisë, jo vetëm i futbollit, por i të gjitha sporteve.
Sa i përket emrit të tij Dejan, sipas të atit, kjo ka ardhur si shtysë në simpati për ish futbollistin jugosllav, Dejan Saviçeviq, i cili në vitin 1976 ka qënë në Shkodër dhe Refiku ka pasur ta takojë personalisht.