Partizani-Dinamo, ishte çifti i dytë e së hënës, takim ky i luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, për llogari të javës së 13-të të Abissnet Superiore. Dy skuadrë që në vite kanë mbajtur peshën e futbollit shqiptar, por që për momentin, situata e tyre në kampionatin shqiptar nuk është në nivelet e kërkuara. Pas humbjes në Shkodër për takimin e mesjavës luajtur në “Loro Boriçi”, Partizanit i duhej patjetër një fitore për të mos krijuar shkëputjen e madhe me skuadrat e zonës europiane. E njëjtë gjë edhe për Dinamon, veçse duke qënë me dy pikë më shumë në tabelë sesa skuadrat e rrezikuara për të rënë nga kategoria, Skënderbeu dhe Egnatia, situata bëhej edhe më alarmante.
Goli i shënuar në minutën e 72-të nga Esat Mala regjistron fitoren e Partizanit, i vetmi që mjafton për t’i dhënë fitoren shumë të rëndësishme të kuqve, të cilët tashmë me 18 pikët e grumbulluara e shikojnë veten në pozita të barabarta me Laçin e vendit të katërt, por që ka një ndeshje më pak, atë që do të luajë të martën ndaj Tiranës.
Një fitore kjo frymëmarrjeje për skuadrën e kuqe, dhe sidomos për teknikun Ilir Daja, i cili pas disa javëve problematike, mesa duket po rikthehet normalitetit, ku përjashtim bëri vetem ndeshja e Shkodrës, pasi më herët kishte disa javë pozitive.
E ndërsa tek Partizani ka optimizëm për t’u ngjitur më lart, e kundërta duhet thënë se ndodhë tek Dinamo. Një skuadër e ndërtuar dhe e mirëinvestuar për trofe, ka përfunduar në një situatë aspak pozitive. Humbja e javës së 13-të rëndon jashtë mase mbi blutë dinamovitë, që tashmë, jo vetëm që e shikojnë veten shumë të distancuar nga kreu, por nga ana tjetër duhet t’i bëjnë mirë llogaritë edhe për rrezikun që i kanoset, pasi ka mbetur në kufijtë e “zonës së ftohtë” të tabelës së klasifikimit. Me vetem dy pikë nga vendi i tetë dhe i nëntë që mbahen nga Skënderbeu dhe Egnatia me 11 pikë, ndërkohë që në vendin e fundit është Kastrioti me 8 pikë, në opinionin sportiv dhe atë mediatik po komentohet shumë rreziku që i kanoset trajnerit Shkëmbi për një shkarkim nga detyra.
Java e 13-të e kategorisë Superiore, mbyllet me çiftin, Laçi-Tirana, takim i cili luhet të martën në stadiumin e Laçit duke filluar nga ora 13.45.