Kapiteni Erdenis Gurishta dhe mesfushori Ardit Krymi, nuk do të jenë në fushën e lojës në sfidën, Vllaznia-Skënderbeu, takim ky që luhet, të dielen në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.45.
Për kapitenin kuqeblu, Gurishta”, kartoni i akorduar në minutën e 61-të nga gjyqtari kryesor Florian Lata në ndeshjen e së mërkurës me Partizanin ishte i katërti që do të thotë se ai automatikisht është i skualifikuar për ndeshjen e radhës.
Ndërkohë, edhe mungesa tjetër ka të bëjë përëri me sfidën kundër Partizanit. Por, tashmë, është i kuqi i nxjerrë nga gjyqtari Lata në adresë të Krymit në minutën e 66-të, i cili për të penguar Tedi Carën që vërshonte i vetëm drejt portës së Vllaznisë detyrohet të përdorë “muskujt” duke e ndalur me forca sulmuesin kundërshtar duke evituar një gol të sigurtë në portën e tij, por njëkohësisht duke mbetur jashtë sfidës të së dieles me korçarët.
Dy mungesa shumë serioze ndaj Skënderbeut që vertet janë problem për t’u zëvendësuar nga stafi teknik, pasi pesha e kapitenit Erdenis Gurishta në të djathtë të repartit të prapavijës dhe e Ardit Krymit në pozicionin e shkatërruesit të mesfushë, dihet tashmë që është mjaft e madhe dhe përcaktuese për funskionimin e skuadrës. Themi kështu, sepse, sa herë ka munguar njëri, apo tjetri prej tyre, Vllaznia e ka ndjerë jo pak mungesën e tyre.
Megjithatë, Brdariç ka në stolin kuqeblu një kontigjent të madh lojtarësh cilësorë, prej të cilëve do të zgjedhë dy më të spikaturit për të luajtur nga minuta e parë ndaj Skënderbeut.
Parë në distancë, për pozicionin e Gurishtës, në mungesat e tij, Brdariç i ka besuar mesfushorit Arsid Kruja për ta kthyer prapa, rol që e ka bërë në mënyrën më të mirë. Ndërkohë, në një mungesë tjetër të fundit të Gurishtës, atë ndaj Tiranës, në krahun e djathtë të mbrojtjes u aktivizua Abdurrahman Fangaj. Për të mësuar se kush do të jetë në atë krah për të zëvendësuar Gurishtën duhet pritur deri në mesditën e së shtunës, kur stafi me në krye Brdariç qartëson vendimet e tij për formacionin zyrtar.
Në të njëjtën kohë, Brdariç do të vendosë edhe për zëvendësimin e Krymit, kun ë rastin konkret, me të gjitha gjasat, në vendin e tij, pritet të aktivizohet Heriç, mesfushori që u lëshua në fushën e lojës menjëherë pasi Ardit Krymi u largua me të kuqe nga fusha e lojës me Partizanin.