Në të mirë apo në të keq, ata mbeten kryefjala e ndeshjeve derbi. Tifozët në përballjen e dytë sezonale mes të kuqve dhe bardhebluve, u bënë sërish protagonistë duke dhënë sinjale shqetësuese që konfirmojnë trendin e nisur që në sfidën e tetorit. Përballja e së enjtes u shoqërua nga momente të tensionuara që ndikuan në mbarëvajtjen e takimit në disa raste. Stola të shkulur, mjete të forta në fushë, tifozë që përleshen me lojtarët e tyre dhe të tjerë që penalizojnë skuadrëne zemrës.
Pavarësisht paralajmërimeve dhe gjobave të majme që FSHF ka vendosur, situata nuk ndryshoi madje në derbin e dytë Partizani-Tirana, dhuna u zhvendos edhe në fushën e blertë. Në muajin mars të vitit 2019, kryeministri Edi Rama njoftoi ashpërsimin e masave ndëshkuese për njerëzit që mësyjnë në katërkëndëshin e gjelbër por mesa duket as kjo masë nuk ka ndikuar në përmirësimin e situatës.
Pjesa e dytë me 11 minutat shtesë pikërisht për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme, kushtëzoi dukshëm edhe ndeshjen e të kuqve që pësuan golin e dytë në kufijtë e 100 minutëshit të luajtur në fushë. Të pakuptueshme reagime të tilla në një stadium modern të ndërtuar për të shijuar futbollin dhe jo shfaqje të tilla ku madje tifozët e të njëjtit krah nuk kursyen as njëri tjetrin ndërsa në fund nuk ia mohuan vetes kënaqësinë e përleshjes në tapetin e gjelbër.
Stjuardët po rezultojnë një eksperiment i dështuar, ndërsa policia që momentalisht është instruktuar për të qëndruar jashtë stadiumeve, është një mjet i nevojshëm, të paktën në duele të tilla, për t’i thënë stop dhunës, fenomen që mendohej se futbolli superior e kishte hedhur pas krahëve.