Një lajmë i trishtë mëngjesin e kësaj të diele ka pllakosur heshtjen në Gjirokastër dhe më gjerë. Një ikonë e futbollit gjirokastrit dhe atij shqiptar Sefedin Braho mbyll sytë përgjithmonë. Pas disa viteve i sëmurë duke lënguar sa në spital dhe sa në shtrat sot ai ikën përgjithmonë nga kjo jetë.
Për brezin e ri mund të jetë një emër me të vërtetë i panjohur sepse ne jemi nga ata që harrojmë yjet që dhan shumë për këtë vend dhe sport. Sefedin Braho ka qenë një legjendë e vërtetë e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe e atij gjirokastrit në veçanti. Në memorie, një legjendë të tillë të sportit më të dashur për të gjithë, vjen enkas për “Veriu Sport”.
Sefedin Braho një nga më të mirët në vendin tonë në vitet 70-80 u shqua për gjatë gjithë karrierës së tij për shpejtësinë që e karakterizonte. Ishte aq i shpejtë dhe i pakapshëm nga kundërshtarët saqë tifozët e pagëzuan me nofkën “shigjeta”.
Asnjë nuk e ka arritur deri më tani nivelin e tij të jashtëzakonshëm. Fitues disa herë i anketës vjetore si futbollisti më i mirë në vend. Ndërkohë në shkrim tregohet edhe një histori interesante ku në kohën kur Braho aktivizohej me Partizanin,të kuqtë luajtën në Skoci kundër Celtic. Klubi legjendar skocez kërkoi zyrtarisht fanelën e Brahos që ta vendoste në muzeun e klubit pasi kishin parë te ai një lojtar të jashtëzakonshëm.
Ishte një super talent i lindur i futbollit,por fatkeqësia e tij ishte se kurrë nuk luajti jashtë vendit për shkaqe që lidhen me politikën që aplikohej në ata periudhë në vendin tonë. Braho ishte futbollisti ku harmonizimi i shpejtësisë me teknikën e futbollit ishte mëshiruar në mënyrë perfekte. Legjenda të tilla të sportit janë të vlefshme të tregohen dhe të reklamohen. Nuk duhen lënë në harresë për brezin e ri,brezin të cilin nuk njeh thuajse asnjë prej heronjve të viteve të kaluara në futbollin tonë.
FSHF-Ngushëllon familjen Braho!
“Një ditë e trishtë për futbollin shqiptar!
Sefedin Braho, emër i madh i Luftëtarit, kampion me Partizanin, pjesë e Kombëtares shqiptare, është ndarë nga jeta ditën e sotme.
Më shpejtësinë dhe driblimet e tij fitoi zemrat e tifozëve gjirokastritë dhe të gjithë atyre që e dashurojnë futbollin.
Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell familjes së Sefedin Brahos, të afërmve dhe miqve, ngushëllimet më të sinqerta!
U prehsh në paqe Sefedin Braho!:, shkruhet në faqen zyrtare të FSHF-së
Skeda e Sefedin Brahos
Lindur:Në Gjirokastër,më 18 gusht 1953
Karriera:Luftëtari 1970-1972 dhe 1974 -1988
Partizani 1972-1974.
Roli në skuadër:Sulmues
Numri në fanellë:7
Trofe të fituara:Në vitin 1973 me Partizanin Kupën e Shqipërisë
Ndeshje me ekipin kombëtar:në vitet 1973-1983 janë 9 ndeshje me një gol te shënuar dhe me ekipet kombëtare U-21 dhe U-23 janë 6 ndeshje te zhvilluara.
Fatos LAMAJ-Gjirokastër, 6 tetor 2024