“𝐃𝐞𝐝𝐢𝐤𝐢𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐣𝐚𝐥𝐢𝐧 𝐭𝐢𝐦 𝐊𝐞𝐯𝐢𝐧, 𝐦𝐞 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝟐𝟎-𝐯𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐥𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞𝐬
Kevin, biri im i dashur,
Sot, mbush 20 vite jete, vite që për mua e familjen tonë janë dritë e bekim. Me ardhjen tënde, shtëpia jonë mori frymë më thellë, u mbush me jetë, me zë të butë dhe me hapa që u kthyen në hapa force.
Të kam parë të rritesh me topin në këmbë dhe një ëndërr në zemër, por rruga jote nuk është vetëm sport, është një udhëtim karakteri.
Ti nuk je vetëm kampioni ynë në fushë, por edhe një model frymëzues për të rinjtë që besojnë në fuqinë e përkushtimit, të dijes dhe të vlerave që ndërtohen me mund.
Edukimi yt, arritjet e tua në arsim e në jetë, janë themeli mbi të cilin ti po ndërton jo vetëm karrierën, por vetveten, me përulësi, punë dhe besim.
Në ty shoh një vazhdim të heshtur të një ëndrre që dikur nisa vetë, por që tani, nëpërmjet teje, shkëlqen më bukur se kurrë.
Sot, në këtë stacion të moshës tënde, ku djalëria piqet dhe ëndrrat marrin trajtë të qartë, për ne do mbetesh gjithmonë djali ynë i vogël, ai që na bën krenar çdo ditë, jo vetëm me arritjet e tua, por me gjithçka ti përfaqëson, në shpirt dhe karakter.
Gëzuar ditëlindjen, kampioni im!
Me ty kemi fituar ndeshjen më të bukur të jetës.
Me dashuri dhe krenari të përjetshme për ty!”, shkruan në postimin e tij të rrjeteve sociale, Rrok Dodaj-Babai i Kevin Dodajt-Ish futbollist-Kryetar i Bashkisë Pukë.