Kishte ditë të tëra që flitej për goditje me emra “Big” tek Vllaznia, por realisht merkato dimërore e kuqebluve mbyllet pas asnjë blerje. I vetmi emër i zyrtarizuar në merkaton e janarit është francezi Michael Panos, i cili për hirë të së vertetes kishte mbi 4 muaj që stervitej me Vllazninë, por vetem tashti u bë pjesë e skuadrës. Një futbollist ky, që të paktën për momentin nuk duket se kemi të bëjmë me ndonjë lojtar që bën diferencen në skuadër, pasi edhe hapësirat në formacion nuk shikohen se janë të duhurat.
Ndërkohë që, emrat e shumëpërfolur se mund të bëheshin pjesë të Vllaznisë, si Bekim Bala dhe Erald Çinari, ato firmosen me skuadra të tjera jashtë Shqipërisë.
Rreth merkatos dimërore të kuqebluve ja dhënë drejtori sportive i Vllaznisë, Matko Djarmati, gjatë emisionit Rubrika Sportive në RTSH.
“Goditje në fund në merkato?
Jo nuk ka. Kërkuam një sulmues, por nuk arritëm të gjenim një që na përshtatej. Merkato quhet e mbyllur.
Bekim Balaj?
Nuk mendoj se do të donte të luante në Shqipëri. Presidenti e ka takuar, kanë biseduar si shkodranë që janë, por nuk ka patur ndonjë gjë konkrete.
Çinari?
Po ka patur një bisedë, kishte dëshirë, por nuk mund të bëhej, nuk mund të prisheshin balancat në skuadër”.
“Tirana?
Më tremb diferenca e pikëve, por nuk më tremb forma e Tiranës. Kukësi ia bëri të lehtë, nuk e ka përgatitur mirë ndeshjen. Por të mos harrojmë, ka akoma shumë ndeshje, do luajmë edhe dy herë kundër Tiranës. Është një kampionat shumë i vështirë. Çdo skuadër ka objektivat e veta dhe çdo sfidë është vështirësi më vete”.
“Në merkaton e dimrit është shumë e vështirë të gjesh një lojtar që mund të përshtatet. Nuk ka kohë sepse jemi në mes të kampionatit. Lojtari vjen dhe nuk njeh skuadrën, nuk njeh trajnerin, nuk njeh asgjë, sa kohë i duhet që të përshtatet? Ne si drejtues të Vllaznisë kemi kërkuar lojtar, por ata që kemi kërkuar nuk dëshironin të vinin të luanin në Shqipëri. Nuk ishte problem ana financiare, por niveli i kampionatit”.
“Fitorja me Kastriotin?
Pikët janë të rëndësishme. Ishte një fitore pas katër barazimesh, kemi krijuar shumë raste, por kemi shënuar vetëm dy gola. Kishte një llojë ngërçi, nuk ishim të kënaqur, jo për lojën, por për pikët. Fusha ku luan Kastrioti është shumë e vështirë”.
“Kemi bërë analiza brenda skuadrës. Në katër ndeshje kemi bërë mbi 30 raste shënimi për gol. Kemi krijuar raste me lojë, jo nga goditjet standarte. Për ndeshjen me Tiranën kemi shkuar në Malin e Zi, më pas jemi stërvitur në Durrës. Loja e mirë ka ardhur si shkak i kushteve të mira ku jemi stërvitur. Megjithatë, përsëri nuk shënuam”.
“Ne vazhdojmë të kemi besim te sulmuesit, besojmë se do shënojnë. Problem do të ishte nëse nuk do krijonin. Latifi? Besoj se tani është përshtatur me skuadrën”.
“Kartoni i kuq për Adilin?
Veprime të tilla ndodhin gjithmonë, atëherë mund të jepen 40 kartona. Adili nuk ka lidhje me rivënien, prandaj ia lejon topin shokut të skuadrës. Është një problem i madh, sepse shkojmë në Laç javën tjetër pa një lojtar”.
“Laçi?
Më vjen shumë keq që kampionati shqiptar humbet një lojtar si Lushkja, por më vjen shumë mirë për lojtarin. Në fund fare më vjen mirë se nuk luan kundër nesh. Laçi ka një nga ekipet më stabël në kampionat, luan gjithmonë shumë fort. Është shumë e çuditshme se si janë transformuar”.