Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Partizaniy, duke triumfuar në “Arenën e Demave” dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini u konfirmua sërish si “makth” për trajnerin Oltijon Kërnaja, duke i dhënë fund serisë pozitive të Partizanit, që kishte tetë ndeshje radhazi pa humbje në kampionat. Ironikisht, disfata e fundit e të kuqve në Abissnet Superiore kishte ardhur pikërisht ndaj Vllaznisë në Shkodër. Edhe këtë herë, shkodranët dolën fitues, falë një fundi dramatik. Heroi i ndeshjes ishte Kevin Dodaj, i cili realizoi dy gola në minutat e fundit, duke vulosur suksesin e skuadrës së tij.
Nga ana tjetër, Partizani kishte dy momente gëzimi të shkurtra, kur Isgandarli dërgoi topin në rrjetë, por në të dyja rastet golat u anuluan për pozicion jashtë loje.
Me këtë fitore, Vllaznia vazhdon marshimin drejt titullit kampion dhe rikthehet te suksesi pas tri ndeshjesh pa fitore. Ndërkohë, Partizani mbetet 12 pikë larg kreut dhe vijon të vuajë përballë kuqebluve këtë sezon, ku ka regjistruar tre humbje dhe një barazim ndaj tyre.


